9 raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë të premten.

Sipas raportit të Policisë, tri raste të dhunës janë shënuar vetëm në Prishtinë gjatë 24 orëve të fundit dhe tre persona janë arrestuar.

Edhe në Podujevë është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht një grua.

E në Fushë Kosovë raportohet se një burrë dhe një grua janë rrahur, me ç’rast të dy kanë marrë trajtim mjekësor e pastaj janë dërguar në mbajtje për 24 orë.

Në Prizren, një person është goditur me thikë nga një tjetër, ndërkaq sipas Policisë, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në Istog është arrestuar i dyshuari për arsye se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në Rahovec një burrë ka rrahur fillimisht vajzën e tij e pastaj edhe anëtarët e tjerë të familjes. I njëjtë është dërguar në mbajtje për 48 orë. E në Mitrovicë është arrestuar një zyrtar policor pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. I njëjti është suspenduar nga puna.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten përmes një statusi në Facebook ka shkruar se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rastet e dhunës në familje janë rritur për 30 për qind.

Që nga kufizimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve në muajin mars, për shkak të koronavirusit, në Kosovë është raportuar për rritje të rasteve të dhunës në familje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, janë bërë pjesë e një fushate, përmes së cilës kanë kërkuar denoncimin e rasteve të dhunës në familje.