A është karantinuar Presidenti i vendit, Hashim Thaçi?

Mbrëmë është raportuar se Hashim Thaçi ka udhëtuar për Tiranë. Ai nuk është kontrolluar pas kalimit të kufirit në Vërmicë. 

Megjithatë, ai është kthyer brenda natës dhe arsyet e vizitës së tij në Tiranë nuk dihen. Ai nuk ka dhënë asnjë sqarim për publikun lidhur me këtë vizitë që e ka bërë në kryeqytetin e Shqipërisë.

Pas kthimit të tij, sipas masave emergjente që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë ai duhet të karantinohet sepse ka dalë jashtë territorit të Kosovës.  Ai do të duhej të karantinohej në Qendrën e Studentëve, përkatësisht, tek Konviktet të cilat po shërbejnë për karantinimin e qytetarëve të cilët vijnë nga jashtë vendit. Karantinimi për secilin qytetar zgjatë dy javë.

Qytetarët të cilët kanë probleme shëndetësore mund të karantinohen në shtëpitë e tyre. Edhe Presidenti i Kosovës, para pak ditësh kishte pasur një intervenim në QKUK, kështu që ai mund të thirret në këtë në mënyrë që të karantinohet në shtëpi.

Por, se a është karantinuar Presidenti i vendit apo jo pritet të shihet tutje. Askush që vjen nga jashtë vendit, nuk mund të shpëtoj pa u karantinuar ishte thënë në Komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë, të lëshuar dje me rastin e tentimit të deputetit Behgjet Pacolli për tu futur në Kosovë pa u karantinuar.

“Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore.” është shkruar në Komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.