AAK : Na takojnë 4 ministri, marrëveshja mund të nënshkruhet sot

LDK, AAK e Nisma duket se janë afër finalizimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës. Këta të fundit thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt dhe janë në diskutim e sipër të detajeve.

Deputeti i AAK , Rasim Selmanaj për KP, thotë se nënshkrimi i marrëveshjes mund të ndodhë edhe sot.

“ Unë mendoj se afër është nënshkrimi i marrëveshjes edhe po shpresoj që shumë shpejt do ta mbërrijmë për me votu….E mundshme që edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, detajet sot kryhen”, deklaron ai.

Ndërkohë, është raportuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti. Sipas informatave, AAK do ta ketë Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Për këtë Selmanaj thotë se emrat e ministrive janë në diskutim, mirëpo thekson se AAK-së duhet t’i takojnë jo më pak se 4 ministri.

“Personalisht mendoj se numri i ministrive duhet të mbetet i njëjti që të mos ketë rritje…Ne i kemi 13 deputetë, që sipas kësaj matematike ne do të duhej me i pas 4 ministri… emrat e ministrive janë në diskutim”, tha ai.

Sipas Selmanajt qeveria e re pritet të votohet në kuvend gjatë javës së ardhshme. Për këtë shpreh besimin se do të kenë votat e mjaftueshme.

“Për aq sa unë jam i informuar ka vota të mjaftueshme për votimin e kësaj qeveri”, thekson Selmanaj.

Siç është raportuar Ministrinë e Jashtme, do ta drejtojë Meliza Haradinaj , Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi; Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministrinë e Arsimit, Ramë Lika. Ndërsa, zëvendës i kryeministrit Avdullah Hoti, nga AAK do të jetë Besnik Tahiri. //KosovoInsights