Aktgjykimi për dekretin u bazua në Kushtetuesën e Moldavisë (tashmë e dorëhequr si shkas i animit politik)

Saktësisht  plot 21 herë është përmendur Moldavia në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përmes të cilit i është dhënë e drejta presidentit Hashim Thaçi për ta dekretuar Avdullah Hotin për mandatarin e Qeverisë.

Në aktgjykimin e plotë, të publikuar të hënën, Kushtetuta, por edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në Moldavi, të marra ndër vite, janë përmendur si shembuj, për të mbështetur aktgjykimin.

Por, të gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në Moldavi kishin dhënë dorëheqje gjatë vitit të kaluar, pas akuzave se ia kishin mbajtur anën ish-qeverisë, duke vendosur në dëm të qeverisë së re.

Vendimet e marra prej kësaj gjykate, si ishte raportuar nga mediet ndërkombëtare, kishin nxitur krizë politike në këtë shtet.

Shkak për krizën politike në Moldavi kishin qenë zgjedhjet e shkurtit të 2019-tës, pa fitues të qartë.

Më 7 qershor, Kushtetuesja kishte marrë vendim për shpërbërjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Megjithatë, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, më 8 qershor, ishte formuar një Qeveri e re, e udhëhequr nga Maia Sandu. Ky koalicion e kishte akuzuar gjykatën për keqinterpretim të Kushtetutës.

Qeveria e mëparshme e magnatit kundërthënës, Vlad Plahotniuc e kishte kontestuar legjitimitetin e seancës dhe ky qëndrim ishte mbështetur prej Gjykatës Kushtetuese.

Më 9 qershor, Kushtetuesja e kishte shpallur jokushtetuese qeverinë e krijuar nga Sandu, teksa ishte sprapsur pas disa ditësh.

Kritikët kishin thënë se Gjykata Kushtetuese ishte nën ndikimin e Plahotniucut, që kontrollon biznese të shumta dhe një perandori mediatike dhe që është akuzuar se është duke e udhëhequr Moldavinë në prapaskenë. //KosovoInsights