Albin Kurti: Për mua, emisari Grenell është i Amerikës, por Amerika nuk është emisari Grenell

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në një intervistë për media ka deklaruar se për të, i dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është i Amerikës, por Amerika nuk është ai.

“Për mua, emisari Grenell është i Amerikës, por Amerika nuk është emisari Grenell”, ka potencuar Kurti.

Kurti ka potencuar se kritikën e ka mësuar nga Perëndimi, në këtë aspekt, aleatët dhe partnerët janë të tillë, vetëm nëse ekziston e drejta për kritikë.

“Prej Perëndimit e kam mësuar kritikën edhe ndaj zyrtarëve perëndimorë, kur më duken joparimorë për Perëndimin si e njohim dhe si e kemi mësuar. Pra, në këtë aspekt, aleatët dhe partnerët janë të tillë, vetëm nëse ekziston e drejta për kritikë. Nëse nuk guxon të mos pajtohesh me asnjë zyrtar në asnjë rrethanë, atëherë ky nuk është partneritet dhe aleancë”, ka thënë Kurti.

“Mirëpo, kur thoshte emisari Grenell: hiqeni taksën 100 për qind. ‘Në rregull’, thoja ‘ky është neo-liberal, s’do barriera askund, ndonëse në raport me Kinën mendon pak më ndryshe, po e pranojmë. Por, po e vendosim reciprocitetin. Kur tha të hiqej edhe reciprociteti gjë që e kisha dëgjuar shpeshherë, nga Vuçiqi dhe Daçiqi që thonin se reciprociteti është më i rëndë, se taksa, atëherë komunikimi ynë praktikisht u pamundësua dhe pasoi një trysni tejet e madhe me partnerin tim të koalicionit”, ka thënë ai.

Ai po ashtu i është referuar një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit, në të cilën ishte përgëzuar qeverisja e tij.

“Tash së fundi e kishim një raport të Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Kosovë, ku lavdërohej Qeveria Kurti, që ka luftuar korrupsionin, por nuk ka arritur, për shkak të mandatit të shkurtër, që të institucionalizojë metodat e veprimit kundër korrupsionit”, ka thënë ai, i pyetur rreth akuzave që janë bërë për anti-amerikanizëm.

Ai ka pyetur se përse lavdërohet nga Departamenti i Shtetit, “nëse jam anti-amerikan”.

“Unë besoj që këta njerëz, duke mos dashur të merren me argumentet tona, dëshirojnë të vendosin etiketa të paqena. Si e kam kundërshtuar, në emër të vlerave të OKB-së, përfshirë edhe rezolutën anti-kolonialiste për dhënien e pavarësisë popujve të kolonizuar nga viti 1960, që e ka Kombet e Bashkuara. Ne emër të OKB-së e kam kundërshtuar UNMIK-un, në emër të vlerave të Bashkimit Evropian kam kundërshtuar EULEX-in dhe në emër të vlerave të SHBA-së, unë kam kundërshtuar emisarin Grenell”, ka thënë Kurti.//KosovoInsights