Albin Kurti takohet me prindërit e Arbënor dhe Astrit Deharit

albin kurti me familjen e astrit dehari

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe deputeti Liburn Aliu kanë takuar gjatë ditës së sotme Avni e Xhemile Deharin, prindërit e Arbënor e Astrit Deharit.

Ditëlindja e aktivistit të ndjerë Arbënor Dehari i bëri bashkë për të diskutuar mbi veprimtarinë e pashoqe të aktivistëve të familjes Dehari. Këtë e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet shpërndarjes së një videoje ku shihen duke diskutuar kryeministri Kurti me prindërit e Arbënorit dhe Astritit.

“Ata me rastin e ditëlindjes së aktivistit të pashembullt që e pati Lëvizja VETËVENDOSJE!, Arbënor Deharit, Kryetari Albin Kurti së bashku me prindërit e Arbënorit dhe Astritit, z. Avni Dehari dhe znj. Xhemile Dehari, dhe deputetin Liburn Aliu, bashkëbiseduan për jetën, veprën dhe angazhimin shoqërorë e politik të tij, duke ndarë ngjarje që më parë nuk i dinim as si aktivistë por as edhe si shoqëri. Arbënori ka qenë dhe është frymëzim jo vetëm për aktivistët e Lëvizjes tonë, por për të gjithë ata që refuzojnë të nënshtrohen e me vullnet të fuqishëm përfshihen nëpër beteja për më shumë drejtësi e barazi shoqërore, si në vend ashtu edhe kudo në botë.” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbënor Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara duke rënë nga kati i gjashtë i banesës së tij. Kurse, vëllai i tij Astrit Dehari është vrarë mizorisht në burgun e Prizrenit. Hetimet lidhur me këto dy raste ende vazhdojnë dhe familjarët, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e gjithë shoqëria kosovare presin që drejtësia të vihet në vend dhe ata që kishin gisht në vdekjen e tyre të vihen para drejtësisë.

Videon e bashkëbisedimit mbi jetën dhe veprimtarinë e këtyre aktivistëve mund ta ndiqni në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje!