Amnistia për kohën e luftës, pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi?

Raporti është botuar në “Koha Ditore” më 6 korrik të vitit 2018

Burime diplomatike shumë kredibile i kanë thënë “Kohës Ditore” së amnistia për kohën e luftës, për të dyja palët mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë theksuar se një propozim të tillë e kanë dëgjuar nga zyrtarët në Prishtinë, dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi që një gjë e tillë edhe të realizohet. Në Presidencë kanë konfirmuar tërthorazi se amnistia mund të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes, për të cilën kanë thënë se, “duhet të jetë e përshkallëzuar dhe që mund të përfshijë vetëm krimet apo veprat penale të caktuara”. Qeveria nuk ka pranuar të komentojë, ndërkaq opozita është kundër një amnistie tjetër për serbët.

Disa diplomatë ndërkombëtarë janë shokuar kur kanë dëgjuar se pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe një amnisti për periudhën e luftës në Kosovë. Burime diplomatike shumë kredibile i kanë thënë “Kohës Ditore” se një propozim të tillë e kanë dëgjuar nga zyrtarët në Prishtinë, dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi që një gjë e tillë edhe të realizohet. Sipas burimeve diplomatike, një amnisti e tillë mendohet të vlejë për të dyja palët e përfshira në luftën e Kosovës, ndërsa si rezultat i saj do të mund të jetë edhe zhbërja e Gjykatës Speciale.

Presidenca ka konfirmuar tërthorazi se mund të ketë amnisti. Qeveria dhe partitë në pushtet nuk kanë pranuar të komentojnë, ndërkaq opozita është kundër. Presidenti Hashim Thaçi ka marrë komandën e dialogut me Serbinë, duke negociuar me emër të Kosovës për marrëveshjen finale me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në takimin e ftuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, janë diskutuar modalitetet e marrëveshjes finale, por të cilat nuk janë bërë publike. Por në Presidencë ia kanë konfirmuar gazetës tërthorazi se amnistia mund të jetë pjesë e pakos së marrëveshjes. Por nuk kanë treguar nëse do të diskutohet edhe zhbërja e Gjykatës Speciale.

Në përgjigjen e Zyrës për informim përkitazi me këtë çështje, thuhet se fokusi i takimeve në nivelin më të lartë politik është te gjetja, respektivisht elaborimi i opsioneve apo mundsive të cilat mund të shpijnë drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Në Presidencë e kanë bërë të qartë se të gjitha palët e përfshira në këtë proces, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, “e kanë të qartë, se një marrëveshje eventuale përfundimtare do të mund të arrihet apo do të mund të dështojë, në rast se ka pajtueshmëri apo jopajtueshmëri ndërmjet palëve në çështje thelbësore dhe jo për shkak të çështjeve që mund të konsiderohen si dytësore”.

Ata kanë elaboruar rrethanat në të cilat mund të vlejë amnistia eventuale.

“Sigurisht që në rast se do të ketë marrëveshje, atëherë ajo marrëveshje do të përmbajë edhe mjaft çështje të tjera, respektivisht protokolle të veçanta. Amnistia dhe pajtimi, mund të jetë një nga këto çështje të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.

“Mirëpo, një gjë është e qartë. Kosova është shtet demokratik që respekton konventat dhe ligjet ndërkombëtare. Prandaj, në rast se do të këtë marrëveshje për amnisti ndërmjet dy shteteve, kjo amnisti duhet të jetë e përshkallëzuar, mund të përfshijë vetëm krimet apo vepra penale të caktuara”, thuhet në përgjigje. Sipas Presidencës, kjo nënkupton që edhe në rast se do të ketë amnisti, “ajo nuk mund të aplikohet për rastet e krimeve të luftës, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare”.

Në lidhje me një amnisti të mundshme për kohën e luftës, gazeta ka marrë vesh që së paku dy shtete nga grupi i Quintit kanë shprehur kundërshtimin e tyre për një ide të tillë. Presidenca ka dhënë përgjigje edhe për këtë refuzim.

“Kosova respekton në tërësi konventat ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare. Amnistia mund të jetë e pranueshme vetëm për një numër të caktuar të veprave penale.

Por në asnjë rast, nuk mund të t’i amnistojë ata që kanë bërë krime, spastrim etnik, tortura apo përdhunime.

Këto krime janë të sanksionuara me të drejtën ndërkombëtare, dhe Kosova e ka të harmonizuar legjislacionin e vet penal në përputhje me konventat dhe ligjet ndërkombëtare”, kanë thënë në Presidencë.

Mbetet e paqartë nëse një gjë e tillë do të përkrahet nga Zyra e ndërmjetësueses Mogherini, e cila deri tani nuk ka vendosur vija të kuqe në negociatat e Brukselit, duke e lënë të nënkuptohet se çdo marrëveshje që mund të arrihet mes palëve është legjitime edhe për BE-në.

Gazeta ka adresuar pyetje edhe te Zyra e Mogherinit, por ka munguar përgjigjja e tyre.

Sidoqoftë, një numër shtetesh anëtare të BE-së tashmë e kanë bërë të qartë se jo gjithçka që mund të negociohet edhe është e pranueshme, dhe në këtë kontekst është përmendur shpesh ideja për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve. Mbetet po ashtu e diskutueshme nëse një marrëveshje e tillë për amnisti do të mund të përfshinte edhe krimet e luftës, apo do të kufizohet vetëm në pjesëmarrjen në luftë, sikur që ishte rasti me amnistinë e ofruar në Maqedoni për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Qeveria nuk komenton për mundësinë e amnistisë, opozita kundër

Në Qeverinë e Kosovës kanë refuzuar të komentojnë për këtë çështje. Po ashtu edhe përfaqësues të partive në pushtet janë shprehur të rezervuar të japin qëndrim, përderisa nuk zyrtarizohen temat.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk mund të japë përgjigje për gjëra hipotetike, “pa burime apo dëshmi”.

“S’kam koment, se as që është diskutuar ndonjëherë konkretisht për çfarëdo marrëveshjeje potenciale”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq për deputetin e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka shumë spekulime për tema dhe çështje të shumta, që mund të fliten në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. “Kjo nuk nënkupton se ndonjëra prej tyre dhe nuk mund të jetë çështje e këtij procesi, duke përfshirë edhe çështjen e amnistisë. Por e vërteta është se ende nuk ka në tavolinë asgjë konkrete, as për temat e, për fatin e keq, as për përbërjen e ekipit që do të bëjë negociata. Të paktën në AAK nuk kemi këto informata”, ka theksuar Nitaj.

Por opozita është deklaruar kundër amnistimit të krimeve të luftës.

“Nëse dikujt vetëm i shkon mendja të amnistohen krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, tentim gjenocidi dhe vepra penale të ngjashme, kjo vërtet do të kalonte çdo limit”, ka thënë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. “Presidenti i vendit le të shkojë të pyesë ata që kanë humbur fëmijët e tyre, madje edhe foshnje disamuajshe (si pasojë e agresionit serb), se çka mendojnë për një ide të tillë skandaloze”.

Ndërkaq, Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk kanë një dokument ose deklarim të cilit mund t’i referohen.

Por, sipas tij, “duket qartazi që Thaçi në secilën cilësi që ka qenë deri më tash në raport me Serbinë, e ka falur Serbinë për ata çfarë ka bërë në Kosovë”.

“Eventualisht, nëse do të ndodhte që pjesë e finalizimit të marrëveshjes të ishte edhe amnistia, atëherë kjo i bie formalizim i faljes, që tash i ka bërë Serbisë, për ato që ka kryer në Kosovë. Por në cilëndo situatë, nëse Thaçi e fal Serbinë, shqiptarët e Kosovës nuk do t’ia falin kurrë as Serbisë, as Thaçit”, ka thënë Selimi.

Deputeti i VV-së ka shtuar se amnistia ndodh kur respektohen procedurat juridike, pas shqiptimit të dënimit. Sipas Selimit, nuk mund të ketë amnisti para se të gjykohet ose dënohet dikush. Nëse ka amnisti para se të dënohet kjo i bie vetëgjyqësi, ka shtuar Selimi.

Belgzim Kamberi, anëtar i kryesisë në Partinë Socialdemokrate, ka thënë se angazhohen për drejtësi transicionale në procesin e pajtimit nëpërmjet zbatimit edhe të katër përbërjeve të saj që përputhen me të drejtat themelore, të njohura edhe nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Organizata e Kombeve të Bashkuara, si “e drejta për drejtësi, e drejta për të vërtetën, e drejta për dëmshpërblim dhe e drejta për garanci të mospërsëritjes”. Sipas tij, pajtimi përmes “amnistive amnezike” pa ballafaqim me të kaluarën rrezikon t’i lërë viktimat pa qasje në drejtësi dhe pa njohje publike të vuajtjeve dhe dhimbjeve të tyre.

“Drejtësia ndëshkuese nuk duhet ndarë nga drejtësia riparuese. Pandëshkueshmëria dhe mungesa e njohjes publike të krimeve e komprometojnë sot paqen e synuar nesër. Më shumë se paqja si drejtësi, kemi nevojë për drejtësi e të vërtetën për paqe, të cilat janë përgjegjësi para së gjithash të institucioneve shtetërore, edhe gjyqësore”, ka thënë Kamberi. PSD-ja konsideron se duhet dinamizuar angazhimin në nivel shtetëror, rajonal dhe ndërkombëtar drejt ndëshkimit të përgjegjësve të krimeve të luftës, dëmshpërblimit për viktimat, transformimit të sistemeve të sigurisë duke ndëshkuar edhe abuzuesit e të drejtave të njeriut nga institucionet publike, “si dhe të reformohen institucionet e gjyqësorit”.

Amnistia e vitit 2013

Thaçi ka përfaqësuar Kosovën në takimin e parë të fazës përfundimtare të procesit dialogues. Gazeta ka siguruar draftin e trupit negociues, në krye të të cilit qëndron “Ekipi Negociator i Kosovës”, që parashihet të përbëhet nga bartësit e institucioneve të shtetit dhe nga liderët e partive politike. Pas tij është “Grupi Strategjik”, pasuar nga shtatë grupe të tjera profesionale, mes të cilave “Grupi për çështje ligjore”, “Grupi për demarkacion” e “Grupi për pajtim dhe falje”. Opozita ka refuzuar deri tash të bëhet pjesë e çfarëdo trupash, për aq kohë sa kreu i shtetit nuk heq dorë nga përcaktimi për t’i prirë ekipit negociator. Nëse opozita mban të njëjtin qëndrim, Presidenca ka paralajmëruar se struktura negociuese do të ngrihet me përfaqësues të institucioneve dhe me eksponentë të shoqërisë civile.

Ndonëse në muajt e fundit janë dinamizuar përgatitjet për negociatat e reja, pajtueshmëria akoma është larg. Ka rreth dy muaj prej kur, me iniciativë të LDK-së ka nisur një tur i tryezave të përbashkëta të spektrit politik, në të cilat synohet t’u jepet zgjidhje një numri temash. Edhe pse janë zhvilluar katër takime, nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Nëse një amnisti e tillë realizohet, nuk do të ishte hera e parë që në kuadër të dialogut të Brukselit të falen vepra penale të kryera në Kosovë. Në vitin 2013, në kuadër të Marrëveshjes së Parë për Normalizim të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është paraparë amnistia për pjesëmarrjen në strukturat paralele në veri të vendit. Kuvendi i Kosovës pati miratuar një Ligj për Amnisti, i cili kishte zgjeruar grupin e përfituesve prej saj, për të përfshirë edhe vepra të tjera penale, të kryera jashtë kontekstit, për të cilin është negociuar në Bruksel.

“As atëherë, askush nuk ka pasur të drejtë të falë në emër të shtetit, djegien e shteti, as sot s’ka kurrkush të drejtë të falë në emër të qytetarëve të përvuajtur, të vrarë e të masakruar. Në fund, tashmë po shihet sheshazi që nga Thaçi pritet gjithçka nëse ia kërkon Serbia”, ka thënë Selimi.

Miratimi i ligjit për Amnisti në vitin 2013 kishte kaluar mes kundërshtimeve të opozitës e shoqërisë civile, me peticione e protesta.

Sa u përket kushteve për dhënien e amnistisë nga vuajtja e dënimit, neni 3 i Projektligjit për amnisti precizon se ”të gjithë kryesit e veprave penale të kryera deri më 20 qershor 2013, përfshirë edhe personat kundër të cilëve akoma nuk është ngritur aktakuzë apo kundër të cilëve nuk ka filluar ndjekja penale, personat të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji gjenden në mbajtje të dënimit me burgim në Republikën e Kosovës apo ende nuk kanë filluar mbajtjen e dënimit me burgim, lirohen nga ekzekutimi 20% i dënimit të shqiptuar me burgim”.

Ndër veprat penale për të cilat kryesit e tyre lirohen, sipas nenit 5 të projektligjit për amnisti janë: sulmi kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese, kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, zjarrvënia, thirrja për rezistencë, kontrabandimi i mallrave, sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare etj.

Ligji për amnisti, sikurse nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2013, ishte bërë gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit

Hashim Thaçi. Edhe tani, nga posti i presidentit, pa u mandatuar nga Kuvendi dhe vetëm me mbështetjen e disa subjekteve që përbëjnë Qeverinë, e cila ka humbur tashmë shumicën parlamentare, udhëheq bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. //KosovoInsights