Anëtari i Grup Yorum, Ibrahim Gökçek i jep fund grevës së urisë pas 323 ditësh

VIDEO

Grupi muzikor Yorum, që veçohet për tekste politike me përmbajtje majtiste, ka lëshuar një deklaratë dhe ka njoftuar se bas kitaristi i grupit, İbrahim Gökçek i ka dhënë fund grevës së urisë në ditën e 323.

“Rezistenca jonë ka arritur fitoren politike. E gjithë bota ka dëgjuar për rezistencën tonë. Shpresojmë që aplikimi ynë për koncert të ketë një përfundim pozitiv,” thuhet në deklaratën e grupit.

Grupi muzikor Grup Yorum ka aplikuar në Zyrën e Guvernatorit të Stambollit me 5 maj dhe do të kërkojë leje për të mbajtur koncerte.

Këtë mëngjes, deputetë, artistë dhe përfaqësues nga organizatat e të drejtave të njeriut bënë një deklaratë për shtyp para shtëpisë ku Gökçek qëndron në Küçükarmutlu.

Duke folur atje, Kryetari i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut të Turqisë (TİHV) Şebnem Korur Fincancı është shprehur:

“Jeta ka fituar. Ne kemi thënë që kërkesat e tyre ishin kërkesat tona. Ne kemi qenë duke luftuar për të krijuar një mjedis ku ata të mund të këndojnë këngët e tyre popullore lirshëm dhe ne do të vazhdojmë këtë luftë.”

Familja e Gökçek u ka falënderuar gjithashtu të gjithëve që i kanë mbështetur në këtë proces. Pas deklaratës, İbrahim Gökçek është dërguar në spital në një ambulancë. – shkruan Kosovo Insights.

Grupi Yorum ka lëshuar deri tash gjithësej 23 albume dhe një film që nga viti 1985, Grupi Yorum ka mbajtur koncerte në Gjermani, Austri, Australi, Francë, Itali, Hollandë, Belgjikë, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Siri. Grupi boton një revistë art, kulturë, letërsi dhe muzikë me titull Tavir, disa anëtarë të grupit menaxhojnë një qendër kulturore në lagjen Okmeydanı të Stambollit të quajtur İdil Kültür Merkezi.

Kujtojmë që antarët e grupit muzikor Yorum kishin hyrë në grevë urie nga Maji i vitit 2019 pasi ishin ndaluar që të mbanin koncerte nga organet e shtetit Turk. Kërkesat e tyre përfshinin që Qeveria turke t’i lejote të mbanin koncerte dhe t’i lironte anëtarët e grupit nga burgu. Në muajin prill të vitit të kaluar vokalistja e grupit Helin Bölek vdiq pas 288 ditësh në grevë urie.

Për vdekjen e vokalistes Bölek, shoku i saj që sot përfundoi grevën e urisë pas 323 ditësh Ibrahim Gökçek kishte thënë “Ju vratë një grua 28-vjeçare,” ndërsa grupi Yorum në Twitter kishte shkruar: “Ato nuk ishin kërkesa shumë të vështira për t’u përmbushur. Fashizmi i partisë A.K.P shkaktoi vdekjen e saj,” duke iu referuar partisë së Rexhep Taip Erdogan.

Anëtarët e grupit Yorum ishin burgosur për shkak të angazhimit të tyre ndaj demokracisë dhe lirisë së shtypit. “Grupi Yorum” kishte denoncuar përndjekjen politike në Turqi dhe ndalimin prej qeverisë të koncerteve të tyre. Kitaristi Ibrahim Gokçek, i cili përfundoi sot grevën, ishte akuzuar për terrorizëm dhe burgosur në bazë të deklaratave të një “dëshmitari sekret”.//Kosovoinsights

Një nga këngët e grupit: