Ben-Meir: Kosova nuk po arrin të luftojë korrupsionin dhe ka dështuar në drejtësi edhe pas 12 vjetësh pavarësi

Sistemin e drejtësisë në Kosovë, profesori amerikan në Shkollën e Studimeve Profesionale të Universitetit të Nju Jorkut, SHBA, Alon Ben-Meir, e ka cilësuar të dështuar, duke cituar edhe skandalin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

“Disa ditë pas raportit të Komisionit Euro të vitit 2020 mbi #Kosovën, përparimi i theksuar në luftën kundër korrupsionit mbetet i ulët, mbi 2 milion € u vodhën nga thesari. Kosova nuk po arrin të luftojë korrupsionin dhe të ndërtojë një sistem të fortë juridik edhe pas 12 vjetësh pavarësi”, ka deklaruar profesori amerikan në Twiter.

 

Kujtojmë se ditë më parë, u vodhën më shumë se dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera. Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.//KosovoInsights