Besnik Bislimi: 6026 të punësuar gjatë muajit Mars dhe Prill

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka thënë se gjatë muajit Mars dhe Prill janë punësuar 6 mijë e 26 persona si shkak i implementimit të pakos emergjente fiskale.

Ai ka bërë të ditur se kjo masë nxitëse për formalizim të ekonomisë ka rezultuar produktive pasiqë të gjithë këta punëtorë do të kenë kontrata 1 vjeçare të punës.

“Të nderuar qytetarë të Republikës, dua të ndaj me Ju një lajm që më gëzon tej mase: Në kuadër të pakos emergjente fiskale, masa 1.14 u hap mundësinë ndërmarrësve tanë që të përfitojnë nga ndihma e qeverisë edhe për punëtorët që i fusin në listë për herë të parë gjatë muajit mars ose prill dhe i pajisin të njejtit me kontrata një vjeqare të punë. Kjo masë nxitëse për formalizim të ekonomisë ka rezultuar shumë produktive, meqë deri më sot, kemi hiq më pak se 6.026 punëtorë të ri të futur në lista të pagave për muajin mars. Nuk ka asnjë periudhë që nga viti 1999 që rezulton me formailizim të këtyre përmasave të ekonomisë, meqë për vetëm dy javë, kontigjenti i të punësuarve në sektorin privat është shtuar për 2.6%.” ka thënë Bislimi.

Gjithashtu ai ka shtuar se ky numër do të rritet sepse kjo është një mundësi e re që bizneset të kalojnë nga informaliteti në formalitet.

“Jam optimist që ky numër do të rritet ndieshëm edhe në dy javët e ardhshme, meqë ne kemi siguruar komunitetin e biznesit që masa është një mundësi për ta e asesi nuk nënkupton ndonjë sanksion eventual. Në anën tjetër, pas datës 15 maj mund të hapet një masë shtesë ku mundësojmë aplikimin e të punësuarve joformal, në rast se dokumentojnë që janë duke punuar dhe nuk kanë marrë dakordim për formalizim nga punëdhënësi.” është shprehur Ministri në një postim në Facebook.