Biznesmeni dhe njëherit deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, po u shkelë të drejtat punëtorëve

Deputeti nga rradhët e AAK-së dhe njëherit biznesmeni, Gazmend Abrashi, është duke u shkelur të drejtat punëtorëve të tij. Burime nga KosovoInsights, bëjnë të ditur se ai ka larguar nga puna dhjetëra punëtorë, kurse, të tjerët që i ka me kontrata pune po i keqpaguan.

Gazmend Abrashi është pronar i disa bizneseve në Kosovë, ndër to edhe i rrjetit të marketeve MAXI.

Në kohën kur pandemia Covid-19, preku edhe Kosovën, Qeveria kishte marrë vendim që të mbyllen qindra biznese me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Por, jo edhe marketet ushqimore sepse nëpërmjet tyre furnizoheshin me mallra qytetarët e vendit. Pasi kishte mbyllur bizneset, Qeveria kishte aplikuar pakon Financiare me qëllim që të ndihmoj sektorin publik dhe në veçanti atë privat.

Ishin ndërmarrë një sërë masash për tu ndihmuar punëtorëve dhe të papunëve. Për të papunët dhe rastet sociale Qeveria ka ndarë nga 130 euro, ndërsa, për punëtorët e sektorit publik dhe privat ishin ndarë nga 170 euro. Të gjithë ata që kishin kontrata pune mund të aplikonin në mënyrë që të përfitonin nga Pakoja Financiare e Qeverisë së Kosovës.

Kur u pa se kërkohej kontrata e punës për të përfituar nga pakoja, shumë biznese i pajisen punëtorët me kontrata 1 vjeçare të punës. Ministri i Financave Besnik Bislimi, kishte deklaruar se numri i të papunëve kishte rënë për 6.6% në Kosovë. Megjithatë, nuk kishte të punësuar të rinj por, të punësuarit që ishin pa kontrata pune u bën me kontrata. Pra nga puna në informalitet, ata u formalizuan si të punësuar. Dihet se informaliteti i ka shkaktuar mjaftë dëme buxhetit të shtetit. – shkruan Kosovo Insights.

Mirëpo, Gazmend Abrashi nuk veproi njëjtë si disa prej biznesmenëve në Kosovë. Në vend se t’i pajiste punëtorët e marketeve me kontrata pune, ai largoi nga puna shummicën e atyre që i kishte pa kontrata. Në kohë pandemie ai la të papunë dhjetëra punëtorë, sepse, nuk ishte në interesin e tij që tu bënte kontrata pasiqë kështu do të detyrohej t’i paguante tatim shtetit.

Ata të cilët mbetën në punë (punëtorët me kontrata) u detyruan të kryenin edhe punët e atyre të cilët i kishte nxjerrur nga puna (punëtorët pa kontrata). Edhe pse me dyfishin e punëve ata nuk ishin ankuar thonë burimet e Kosovo Insights. Madje, siç thotë një punëtore, ata ishin gëzuar sepse tani do të kishin rrogën që u takon dhe poashtu ndihmën nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, kur erdhi momenti për të marrë rrogat, atyre u doli rroga vetëm aq sa paguheshin gjithnjë. Abrashi, u kishte zbritur nga rroga e tyre nga 170 euro me arsyetimin se ato po ua jepte shteti. Deputeti i AAK-së dhe njëherit biznesmeni realisht i shfrytëzoi dhe i keqpaguajti punëtorët e tij. Atyre duhej tu jepte rrogën bazë dhe gjithashtu edhe ndihmën nga ana e shtetit sepse përveç se punëtorët i sigurojnë kapitalin Abrashit me punën e tyre, ata edhe ishin ndër më të rrezikuarit gjatë kësaj kohe të pandemisë sepse ishin në kontakt të vazhdueshëm me klientët.

Punëtorët e rrjetit të marketeve MAXI-it janë të revoltuar nga shtypja që po u bëhet, por, nuk kanë guxim ta shprehin publikisht sepse frikësohen se do të mbesin të papunë si ish-kolegët e tyre, thotë një punëtor por i cili ka dashur të mbetet anonim.

Kujtojmë se Gazmend Abrashi është zgjedhur deputet i AAK-së në legjislaturën e fundit. Ai në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, kishte arritur t’i merrte 6307 vota.//KosovoInsights