Blerim Devolli i lë pa pagat e muajit tetor punëtorët e Telekomit të Kosovës

Për shkak se llogaritë e tyre bankare janë bllokuar si pasojë e borxhit ndaj kompanisë “Dardafon”, punëtorët e Telekomit të Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor

Gjendja në këtë ndërmarrje është alarmante pasi po rrezikohen edhe shërbimet ndërsa që deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës, ka deklaruar zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi.

Sipas tij, ata kanë marrë paralajmërime edhe nga punëtorët se nuk do të rrinë duarkryq përballë kësaj gjendjeje që mund të krijojë të tjera vështirësi në funksionimin e saj.

“Gjendja vazhdon të jetë e njëjtë sikurse në vikend, nuk ka as edhe një ndryshim të vetëm, xhirollogaritë mbetën të bllokuara dhe nuk kemi deri më tash as edhe një reagim, as nga aksionarët në rastin konkret nga Qeveria e vendit. Kjo përveç se ka vënë në rrezik gjendjen sociale, që ka rënduar edhe më shumë gjendjen sociale në kohë pandemie të gjithë kolegëve tanë, kjo po vë në rrezik total shërbimet e Telekomit të Kosovës”, ka potencuar Abazi.//KosovoInsights