Bordi i ri i KRU “Prishtina” kërkon uljen e pagave në ndërmarrje

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e ka vlerësuar negativ raportin vjetor për vitin 2019 teksa ka thënë se ka hasur në shumë paqartësi. Madje, ky bord ka kërkuar edhe uljen e pagave në ndërmarrje.

Ky bord nuk ka miratuar raportin financiar për 2019, për shkak të ndryshimeve që u kërkuan nga kryeshefi dhe anëtarët. Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe trajtimi i pagave në këtë ndërmarrje, ku u tha se ato janë të larta dhe duhet të ulen në mënyrë drastike. Në këtë mbledhje unanimisht u pajtuan që të diskutohet që të ketë një pagë e dinjitetshme dhe konkurruese në tregun e vendit.

Kryesuesi i këtij bordi, Mentor Hyseni ka thënë se raporti financiar i kësaj ndërmarrjeje është negativ dhe me humbje. Ai po ashtu ngriti çështjen e humbjeve teknike, si rrjedhojë e humbjeve të ujit prej 57 për qind, raporton KP.

Hyseni i ka propozuar menaxhmentit që të ndryshojnë synimet për planifikimin e prodhimit të ujët dhe faturimin, për të zvogëluar humbjet operative e teknike të ndërmarrjes.

Sa i përket investimeve kapitale, Hyseni ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje për rritjen e shpenzimeve.

“E pashë edhe fjalimin e kryesuesit të Bordit, të kryeshefit ekzekutiv dhe thuhet se të gjitha aktivitet janë mbërri. Një mend me planifikim janë mbërri, por kemi humbje financiare. S’ka sens. Raporte të tilla nuk kisha dashur as aksionarit t’ia dërgoj”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se në raport duhet të sqarohen shumë çështje, ndërsa te pjesa e vjedhjes së ujit, ka thënë se s’ka parë sa kallëzime penale janë bërë.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa para bordit ka arsyetuar humbjet komerciale dhe teknike. Ai ka thënë se shpenzimet janë më të larta sesa në vitin 2018, për blerje të ujit të papërpunuar, për shkak të ndikimit të thatësisë. Po ashtu, sipas tij shpenzimet e energjisë janë më të madha në fabrikën e ujit në Shkabaj, ndërkaq ka thënë se në vitin 2019 numri i të punësuarve ka qenë më i madh.

“Humbjet e ujit për fat të keq në ndërmarrjen tonë janë relativisht të larta, dhe jo vetëm, sepse e dimë që trendet e humbjeve për fat të keq, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin kanë trende të larta, por po shpresojmë që me stafin që kemi dhe vullnetit për punë konsideroj do të punojmë shumë për uljen e këtyre humbjeve dhe ngritje të performancës së ndërmarrjes. Në aspektin e faturimit ndërmarrja ka shënuar ngritje prej 1 për qind, normalisht synimet nuk kanë arritur 100 për qind, por mund të themi se ka një trend përmirësimi në aspektin faturimit. Shpenzimet e operimit dhe mirëmbajtjes janë më të larta se sa në vitin 2018 për shkak të disa aktiviteteve që kanë ndikuar në rritjen e tyre. Kemi ngritje te pagat dhe personeli, sepse numri i punëtorëve ka qenë më i madh, se sa në vitin paraprak”, theksoi Xhafa.

Gjatë raportimit para bordit të ri, Xhafa theksoi se sfidë mbetet humbja e ujit, që janë 57 për qind sidomos nga keqpërdorime e ujit nëpër fshatra, teksa shtoi se vetëm në vitin 2019, mbi 54 milionë metra kub ujë janë shpërndarë.

Sipas tij, pandemia COVID-19 ka goditur edhe këtë ndërmarrje, por shpreson që këto dëme komerciale të rikuperohen.

Në vitin 2018 të hyrat e planifikuara kanë qenë në vlerë 15 milionë e 999 mijë euro, ndërsa në vitin 2019 të hyrat e planifikuara kanë qenë në vlerë prej 15 milionë 840 mijë euro, ndërkaq janë faturuar 14 milionë e 392 mijë e 388 euro, që sipas menaxhmentit ka përmbushje të planit deri në 91 për qind.

Kryeshefi ekzekutiv i Bordit, Mentor Hyseni iu dha afat prej 10 ditësh në ndryshimin dhe përpunimin e pasqyrës financiare të ndërmarrjes.