Bulliqi falenderon Kurtin: Na qëndroi përkrah e na e rriti besimin se fitorja në Llap ishte detyrë dhe mesazh për t’iu dhënë gjithë Kosovës

Pas fitores spektakulare pa balotazh në Zgjedhjet për të parin e Podujevës, përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar tanimë Kryetari i ri i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke falenderuar qytetarët, mbështetësit dhe aktivistët për kontributin që kanë dhënë në këtë fitore dhe për ndryshimin e madh që e kanë mundësuar, shkruan “Kosovo Insights”.

Bulliqi ka falenderuar në veçanti Liderin e VV-së Albin Kurtin, i cili nuk la minutë e sekondë pa dhënë për këto javë për ne.

“Fitorja jonë nuk është fitore inati, por entuziasmi. Një falenderim të veçantë e kam për Albinin, i cili nuk la minutë e sekondë pa dhënë për këto javë për ne. Na qëndroi përkrah përgjatë të gjithë fushatës e na e rriti besimin se fitorja në Llap ishte detyrë për Llapin dhe mesazh i rëndësishëm për t’iu dhënë gjithë Kosovës”, ka shkruar Bulliqi.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, mbështetës dhe aktivistë,

Dua t’ju falenderoj nga zemra për kontributin që keni dhënë në këtë fitore tonën dhe për ndryshimin e madh që keni mundësuar. Pa angazhimin e secilit nga qindra aktivistëve në terren, pa qytetarët që na i kanë hapur dyert e shtëpive dhe që u kanë folur familjarëve, fqinjëve e bashkëvendasve për fushatën tonë kjo fitore do të ishte e pamundur. Përkushtimi, besimi dhe bindja juaj e ka rritur gjallërinë e fushatës tonë në Llap, tani e tutje do të sigurohemi që qeverisja jonë ta ruajë e shtojë këtë gjallëri. Jemi gati dhe të lumtur t’ju shërbejmë. Fitorja jonë nuk është fitore inati, por entuziasmi. Një falenderim të veçantë e kam për Albinin, i cili nuk la minutë e sekondë pa dhënë për këto javë për ne. Na qëndroi përkrah përgjatë të gjithë fushatës e na e rriti besimin se fitorja në Llap ishte detyrë për Llapin dhe mesazh i rëndësishëm për t’iu dhënë gjithë Kosovës. Si në Llap ashtu edhe në të gjithë Kosovën, Lëvizja do të mbështetet nga shumica e qytetarëve. Era e ndryshimit ndihet gjithandej, ka ardhur dita. Faleminderit e urime!//Kosovo Insights