Daniel Serwer: Kosova në telashe të mëdha, Presidenti duhet të jap dorëheqje

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, në një shkrim të tij në Peace Fare ka thënë se Kosova është në telashe pas ngritjes së akuzave nga Zyra e Prokurorit Special ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Sipas tij Beogradi do të jetë i kënaqur me këto aktakuza, pasi ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës ndaj serbëve dhe do ta ndihmojë Serbinë në secilën negociatë me Evropën dhe SHBA-në, transmeton KosovoInsights.

“Beogradi mund të provojë të rihapë çështjen e kompromisit territorial me Kosovën, me pretendimin se aktakuza dëshmon se serbët nuk duhet të jetojnë në një vend që dominohet nga armiqtë kriminelë”, ka shkruar Serwer. “Pra, aktakuza nuk është vetëm çështje personale e Thaçit dhe Veselit. Është institucionale dhe ndërkombëtare gjithashtu. Kosova është në telashe”.

Sipas tij ky është një test gjithashtu edhe për Thaçin e Veselin.

“Nëse konfirmohet aktakuza nga gjyqtarët e Speciales, që të dy duhet të japin dorëheqje nga pozicionet e tyre dhe të shkojnë në Hagë për të mbrojtur veten e tyre, siç ka bërë ish-kryeministri, Haradinaj, disa herë. Dorëheqja e tyre do të shkaktonte lëkundje të mëdha në politikën e Kosovës. Kuvendi do të duhej ta zëvendësonte Thaçin që do të ishte sfidë pas aktakuzës. Zëvendësimi i kryetarit të një partie politike do të ishte shumë më pak kontroverse, por gjithsesi me pasoja. A do të respektojë PDK-ja trashëgiminë e saj të UÇK-së, apo do të shkojë përtej duke zgjedhur dikë që është më pak i lidhur me rebelimin e armatosur ndaj Serbisë?”, ka shkruar Serwer.

Derisa thekson se nëse Thaçi e Veseli nuk japin dorëheqje atëherë Kosova do të përballet me sfida të tjera.

“As Evropa e as Amerika nuk do të jenë të interesuara që të takojnë apo të ndihmojnë politikanë nën aktakuzë. Rezultati do të jetë izolimi ndërkombëtar. Reagimi politik brenda Kosovës do të jetë me mosbindje. Është e vështirë të imagjinohet ndonjë gjë pozitive nga ky lloj i konfrontimit. Perspektivat për investime ndërkombëtare, bashkëpunimi me NATO-n, liberalizimi i vizave, dhe aspiratat e tjera do të shkatërrohen”, thotë Serwer.