Deputetët kërkojnë hetim për ujin e shpenzuar në veri

Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me pasqyrat financiare të ministrisë për vitin 2019.

Deputetët kërkuan që organet e drejtësisë të merren me marrëveshjen e kompanisë së ujësjellësit në pjesën jugore e cila mbulon shpenzimet e ujit përmes energjisë elektrike të pjesës veriore.

Rakiq kërkoi nga deputetët ta mirëkuptojnë për shkak detyrës se re, për arsye se po diskutohej për vitin 2019.

Ai potencoi se do të punojnë në rregullimin e mangësive që kanë lënë udhëheqësit e kaluar në bazë të rekomandimeve të Zyrës së Auditimit.

Rakiq deklaroi se do të zgjidhë çështjen e ujësjellësit për pjesën veriore. Pasi sipas gjetjes së auditorit, pjesa jugore paguan shërbimet e ujësjellësit përmes energjisë elektrike.

“Jam i informuar me problemet që i ka kompania e ujësjellësit dhe shpesh ka ndodhur që të ketë kompromise. Kjo pagesë nuk kishte qëllim të keq, por vetëm për të tejkaluar problemin. Fitimin e merr kompania e Ibër-Lepencit”.

“Të gjitha këto shërbime bien në pjesën e ujësjellësit të Mitrovicës jugore. Kam kërkuar të bëhet zgjidhje për pjesën veriore. Do të ndihmojmë të gjitha komunat, ne jemi duke punuar në rekomandimet besoj në të ardhmen do të arrijmë t’i rregullojmë mangësitë që ministria kishte”.

Rakiq kërkoi nga deputetet të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, që qytetarët në këtë kohë të mos mbesin pa ujë.

“Me drejtorin e ujësjellësit kam folur se si të kalojmë problemet që i kishim. Kërkonim zgjidhje për bllokimin e faturave. Ata kanë shumë probleme dhe mendoj se që së bashku mund te bashkëpunojmë për të arritur një zgjidhje që në këtë periudhë të verës mos të mbesin pa ujë”, tha ai.

Sekretarja e përgjithshme e ministrisë, Rozafa Ukimeraj tha se ministria e ka pasur të pamundur përmbylljen e rekomandimeve veçanërisht tek avancat.

Ukimeraj njoftoi se ministria e kaluar ka ndarë 20 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të ujësjellësit për pjesën veriore.

Por siç tha ajo, ky veprim është në kundërshtim me ligjin, andaj tha se nuk do të përsëritet më.

“Kemi katër rekomandime për këtë vit nga Zyra e Auditimit. Ka qenë e pamundur të mbyllen këto rekomandime siç është rasti i avancave, në bashkëpunim me thesarin, vlera ka qenë 17 mijë euro. Nuk konsiderohen të mbyllura për shkak kodeve të gabuara. Brenda këtij viti shpresojmë të mbyllim avancat e paraqitura për vitin 2019”.

“Ministria ka ekzekutuar një vlerë prej 20 mijë eurosh nga ministrja. Kishte kërkesë nga komuna për mbulim të shpenzim të energjisë elektrike për të prodhuar ujë. Duke parë nevojën në stinën e verës që mos të rrezikohen qytetarët e ka marrë këtë vendim. Veprimet e tilla iu janë treguar ministrit të ri që nuk janë në harmoni me ligjin dhe nuk do të përsëritën”, u shpreh ajo.

Zëvendëskryetari i parë i komisionit, Enver Haliti kërkoi të dijë pse nuk janë mbyllur avancat si dhe pyeti lidhur me mbulimin e shpenzimeve të ujit nga Mitrovica e jugut për pjesën veriore.

“Pse nuk ka pasur koordinim për mbyllje të avancave siç është rekomanduar nga auditorët. Pse ministria ka vendosur të bëjë pagesat e shpenzimeve elektrike për një kompani tjetër publike”, tha ai.

Deputeti Ali Berisha nga AAK-ja shprehu shqetësim për avancat e pambyllura tash e disa vjet. Derisa pyeti se çka është ndërmarr pas shkeljes për shpenzimet e ujit.

“Raporti është i pamodifikuar dhe ka shkelje vit pas viti. Të mbeten të mbyllura avancat nuk është gjë e mirë. është një shkelje e rëndë për shpenzimet e kompanisë së energjisë për ujin. Pas këtij raporti çka është ndërmarr në këtë drejtim pasi duhet të ketë përgjegjësi”.

Berisha po ashtu kërkoi që ministria të bëjë ndarje proporcionale për të gjitha komunat, raporton EO.

“Ndarjet e investimeve kapitale duhet të jenë të njëjta për gjitha komunat. të ketë ndarje të drejtë për të gjitha njësoj. të gjeturat janë shqetësuese e mos të ketë përsëritje të këtyre çështjeve në të ardhmen. Mos regjistrimi i pasurisë së investimeve të komunave po ashtu mbetet shqetësuese”, tha ai.

Deputetja e LDK-së Vlora Limani-Hajnuni, kërkoi që në minimum të ulën avancat.

Derisa pyeti në lidhje me investimet kapitale, cilat janë komunat që nuk i kanë shfrytëzua mjetet, a duhet të hyjnë përsëri në tenderim derisa nuk i kanë shfrytëzuar.

Eman Rrahmani nga VV-ja fajësoi ministrinë për deklarata politike e në kundërshtim me ligjin.

“Është dashur të jeni të përgatitur për çështjet që po kërkojmë si komision, pasi keni shtyrë takimin për një javë. Po provoni me arsyetuar me deklarata politike gjë që duhet të bëhet sipas ligjit. Mos përgjegjësia e komunave është pikërisht nga komuna që keni udhëhequr ju. Nuk ekzistojnë të regjistruar as në komuna e as askund 300 mijë euro pasuri”, ka thënë ai.

Deputetja Besa Gaxherri nga LDK-ja kërkoi që çdo gjetje që është e dyshimtë duhet të shkoj në Prokurori.

Në mbledhjen e komisionit morën pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.