Dështon gjyqësori- Vetëm një aktakuzë për korrupsion të nivelit të lartë në vitin 2019

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën, ka publikuar raportin “Lufta për statistika të korrupsionit” e në të, thuhet se gjatë vitit 2019, është ngritur vetëm një aktakuzë ndaj profilit të lartë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2019, sistemi prokurorial ka pranuar 380 lëndë të korrupsionit, ka zgjidhur 388 lëndë, kurse të pazgjidhura janë edhe 432 raste ku përfshihen 1.222 persona.

Ndryshe nga viti i kaluar, sivjet, sipas IKD-së, janë ngritur 5 aktakuza ndaj profilit të lartë.

Nga IKD, Betim Musliu, tha se trajtimi i rasteve të korrupsionit nga sistemi prokurorial, vazhdon të mbetët shqetësues, përcjell KP-ja.

“Gjatë vitit 2019, IKD-ja ka monitoruar 1.180 seanca gjyqësore të rasteve të korrupsionit, ku përfshihen 334 raste me 919 persona të përfshirë. Trajtimi i rasteve të korrupsionit nga sistemi prokurorial vazhdon të mbetët shqetësues, për nga performanca dhe mënyra e zgjidhjes së rasteve”, tha ai.

Musliu u përqendrua edhe te gjykimi i të akuzuarve të profilit të lartë.

“Nga gjetjet na del që trendi i trajtimit të rasteve të profilit të lartë, vazhdon ta ketë logjikën e njëjtë, nuk është që nuk ka raste të cilat denoncohen dhe trajtohen, por që përfundimisht ngritja e aktakuzave ndaj këtij profili, ka qenë në një performancë tmerrësisht të dobët sidomos në vitin 2019, ku vetëm një aktakuzë është ngritur ndaj profilit të lartë, ndërsa në vitin 2020 janë 5 aktakuza të ngritura por që kjo trajtohet në raportet pasuese. Gjykimi i rasteve të profilit të lartë ende dëshmon që nuk ka vullnet që të bëhet një zbatim strikt i ligjit, për t’i ndëshkuar ata që i takojnë profilit të lartë”, deklaroi Musliu.

Ndërkohë, Hyrije Mehmeti nga IKD-ja, ka thënë se shqetësuese mbetet politika e dënimeve.

Raporti, sipas KP-së, është bërë në përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan.