Drejt “kapitalizmit digjital”?

Akademik prof. Dr. Anastas Anxheli

Ndërsa diskurset për alternativat e kapitalizmit të sotëm, para dhe sidomos tani pas pandemisë së COVID-19, janë prezent gjithnjë e më shumë, një vëmendje të veçantë ka tërhequr çështja për “ekonominë dixhitale” dhe mbi të ardhmen e “kapitalizmit dixhital”: interneti, komunikimi, dixhitalizimi, shfrytëzimi dhe shpërndarja e të dhënave, robotika dhe inteligjenca artificiale janë në rend të ditës.

Ky diskurs po shoqërohet, veç të tjerash, me shqetësimin legjitim se si dhe sa shpejt do përshtatemi me të, por dhe nga një frikë. Frika (shqetësimi apo rreziku) që robotët do të pushtojnë botën ose që jetët dhe të dhënat tona mund të kontrollohen nga diktatorë (aparate regjistruese) të panevojshëm, qeveritare ose jo, është gjithnjë e më e përhapur në ekonominë e re botërore. Për të përcaktuar nëse këto shqetësime janë të vërteta apo të imagjinuara, së pari, çfarë është interneti i gjërave? Së dyti, a janë informacionet mbi të dhënat “Ari i ri i botës së sotme”? Dhe, së treti, duhet të kuptojmë se çfarë janë saktësisht robotët dhe inteligjenca artificiale. Dhe më konkretisht:

NGA INTERNETI (IOT) TEK…

Falë zhvillimit universal të telefonave smart dhe aksesit në internet, të gjithë po jetojmë në një epokë të re, ku bizneset dhe jetët tona po ndryshojnë në mënyra që më parë as nuk ishin imagjinuar. Këtë proces, disa kanë filluar ta quajnë “revolucioni i katërt industrial”. Ishte avulli në shekullin e 18, elektriciteti në shekullin e 19 dhe kompjuterët në fundin e shekullit të 20-të që revolucionizuan mënyrën sesi ne i prodhojmë gjerat dhe si shkojmë nga një vend në tjetrin. Në shekullin 21, është ndërlidhja përmes internetit i një vargu të gjerë të pajisjeve kompjuterike, të vendosura në objekte të përditshme si automjetet dhe pajisjet shtëpiake – i quajtur Interneti i Gjërave – çka po na lejon të jetojmë dhe punojmë në mënyra që ishin të padëgjuara në epokat e mëparshme industriale. Ky “revolucion i katërt industrial” është i mundur falë kompjuterikes së resë (cloud computing), e cila është një rrjet serverësh në distancë të lidhur me internet, për të arritur memorie masive dhe fuqinë kompjuterike të nevojshme për të ruajtur, procesuar dhe analizuar sasi të mëdha të dhënash. Kompanitë kanë zbuluar që kombinimi i teknologjive të reja me akses në cloud i lejon që të bëjnë gjëra në mënyra krejtësisht të reja në krahasim me të shkuarën, për të zhvilluar më shumë automatizimin.

Revolucioni i katërt industrial fillimisht u nxit nga rritjet e mëdha të fuqisë informatike të drejtuar nga ligji i Moore-it. Përbërësi tjetër kyç i revolucionit të katërt industrial, aksesi në Internetin (I0T), nënkupton se ne nuk kemi pse varemi vetëm nga kompjuteri që kemi përpara për të bërë gjithçka, por mund të përdorin kompjuterët e njerëzve të tjerë për të mbajtur vazhdimësinë e rritjes. Interneti (IoT) shfaq një tjetër ligj, i quajtur ligji i Metcalfe-it, i cili parashtron se sa më tepër përdorues të jenë të lidhur në një sistem, aq më mirë do të jetë. Ky ligj aplikohet edhe për ekonominë dixhitale.

Avantazhet e ndërlidhjes së sa më tepër gjërave janë të shumta, duke variuar nga efikasiteti në rritje e deri te kostot e ulëta. Por gjithashtu ka edhe disavantazhe. Rreziqet e sigurisë për shkak të qenies së gjithë informacionit tonë të aksesueshëm nga të tjerë mund të jenë të mëdha, edhe pse mund të përdoren për qëllime të mira. Mundësitë për cenimin e sigurisë janë një kërcënim në rritje në ekonominë e ndërlidhur globale. Sidoqoftë, shanset e përdorimit, për qëllime të mira apo të këqija, po rriten gjithmonë e më tepër. Të paktën për tani, ne akoma kontrollojmë teknologjinë dhe proceset që po krijojnë mundësi të mëdha për pasuri në ekonominë e re dixhitale. Por…?

INFORMACIONET MBI TË DHËNAT SI “ARI I RI I EKONOMISË”

Kur shumë reklama të dyshimta politike filluan të shfaqeshin në “Facebook” në fund të fushatës elektorale presidenciale në SHBA, në 2016, askush nuk dyshonte se kompania që paguante për këto reklama, në mënyrë të fshehtë, kishte siguruar akses në profilet e më shumë se 87 milionë përdoruesve. Shumë njerëz nuk e mirëpriten faktin që palë të treta kishin akses në informacionet e tyre personale. “Facebook”- u dhe shumë site të tjera e kanë bërë shpërndarjen e të dhënave tona një kusht në mënyrë që të mund të përdorim shërbimet e tyre. Në fakt, nuk janë emrat dhe adresat tona, për të cilat shumë analizues të dhënash janë të interesuar. Ajo çka ata duan, janë të dhënat tona që u tregojnë për sjelljet tona të ardhshme. Dhe pasi ato janë analizuar dhe janë nxjerrë modele dhe korrelacione, informacioni themelor nuk shërben më. Kjo është arsyeja pse megadata – të dhëna që përpunojnë e përshkruajnë të dhëna të tjera – është ari i ri i ekonomisë së shekullit të 21.

Me anë të pyetësorëve të gjerë, psikologët mund të formojnë një pasqyrë përmbledhëse të personalitetit tonë bazuar në pesë cilësi – të qenit të hapur, të përgjegjshëm, ekstroversë, të pajtueshëm dhe neurotikë- por sot, kompanitë teknologjike bëjnë vlerësime të ngjashme me vetëm një sasi të vogël të dhënash. Kjo u jep atyre aftësinë të parashikojnë sesi ne do të sillemi në thuajse çdo situatë. Kjo njohuri mund të përdoret për shumë qëllime, jo gjithmonë të mira.

Por, a është e drejtë të përdorësh informacionin e njerëzve që as nuk u është dhënë mundësia për të vendosur si do të përdoren të dhënat e tyre? Disa kanë propozuar të kontrollojmë të dhënat me më shumë kujdes apo edhe përdoruesit të lejohen që t’i bëjnë ato me pagesë. Deri tani, shumë njerëz kanë qenë të gatshëm t’i japin të dhënat e tyre të vlefshme falas ose për një shpërblim fare të vogël. Por, në fakt, informacioni që jepet, që përdoret nga kompanitë, i sjell fitime marramendëse, duke mos paguar asgjë në këmbim. Ideja që tashmë kemi hyrë në një ekonomi të re shkëmbimesh, ka filluar të tërheqë vëmendjen e politikanëve dhe ekonomistëve nga e gjithë bota. Ashtu si njerëzit në epokën paraindustriale shkëmbenin grurin për verë, njerëzit sot po shkëmbejnë të dhëna për shërbime. Sasia që tregtohet në ekonominë e shkëmbimit të dhëna-për-shërbime është e pamasë. Pesë nga kompanitë më të vlerësuara në botë – Amazon, Microsoft, Facebook, Alphabet (Google) dhe Alibaba – po fitojnë triliona dollarë, duke përdorur dhe shitur të dhënat tona. Ndryshe nga kompanitë e suksesshme më parë si ato të prodhimit të makinave dhe prodhuesit e naftës, kompanitë që përdorin të dhënat e marrin materialin bazë falas. Më pas, gjigantët e të dhënave u marrin para shitësve dhe reklamuesve për to. Disa kanë paralajmëruar që në të ardhmen, të dhënat do të jenë kaq të çmuara sa ata që i kontrollojnë ato, do të na kontrollojnë ne edhe botën në mënyra që më parë as i kishim imagjinuar. Në kohët antike, ata që zotëronin më tepër ar, ishin ata që kishin më tepër pushtet. 500 tonët e arit që mbreti Solomon nxori nga minierat, që sot llogariten të kenë vlerën 60 trilionë dollarë, i dhanë atij fuqinë për të sunduar një rajon të tërë. Në Mesjetë, ata që kishin pjesën më të madhe të tokave, bëheshin sundues të të gjithë popullsisë. Në kohën e makinerive, zotëruesit e kapitalit, si fabrika, hekurudha apo rafineritë e naftës, u bënë sunduesit e rinj. Tashmë, kur të dhënat janë produkti më i çmuar në botë, ata që i kontrollojnë, do të fitojnë jo vetëm fuqinë më të madhe ekonomike, por me shumë mundësi, edhe aftësinë për të kontrolluar pjesë të tëra të jetës sonë të përditshme.

Nuk është e vështirë të imagjinohet një e ardhme ku të dhënat të jenë në duart e një kompanie të vetme ose regjimi diktatorial që mund të përdorë aksesin në mendjet dhe trupat tanë për të ndryshuar dhe kontrolluar sjelljen tonë në mënyra shumë më të këqija sesa duke përshtatur rezultatet e motorit të kërkimit ose reklamat politike të bazuara në profilin e personalitetit të përdoruesve. Ajo çka duhet është një lloj kontrolli për mënyrën sesi të dhënat përdoren apo aksesohen. Por kush duhet të vendosë? Njerëzit që sigurojnë të dhënat, apo ata që i kanë në zotërim? Në Bashkimin Europian, një ligj që quhet Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave tashmë u kërkon kompanive të marrin pëlqimin e qartë të përdoruesve për përdorimin e të dhënave të tyre. Ndëshkimet për kompanitë që nuk respektojnë ligjin variojnë nga mbyllja e tyre në territorin e BE-së apo në gjobë deri në 4 për qind të fitimeve globale.

SI ROBOTËT DHE INTELIGJENCA ARTIFICIALE PO E TRANSFORMOJNË EKONOMINË BOTËRORE?

Robotika dhe inteligjenca artificiale janë dy gjëra të ndryshme, që ndonjëherë bashkohen për t’u bërë plotësisht diçka tjetër. Robotët, në kuptimin e saktë të termit, janë makina që janë programuar për të bërë një detyrë të caktuar. Duke përdorur sensorë, ai mund të zbulojë botën përreth tij dhe të vazhdojë të kryejë detyrën e tij të paraprogramuar në një mënyrë autonome. (Pajisja me krah të gjatë që kthen dyert e makinave mbi një shasi në një fabrikë automobilash quhet robot, sepse është paraprogramuar të kryhet një funksion specifik nga ana e tij.) Ndërsa Inteligjenca Artificiale është pjesa e shkencës kompjuterike, që përpiqet të kopjojë inteligjencën njerëzore. Kryesisht, kjo përfshin përdorimin e të dhënave për të “mësuar” dhe për të zhvilluar metoda të reja të veprimit që nuk ishin planifikuar nga njerëzit, të cilët fillimisht programuan kompjuterin. Inteligjencën Artificiale mund ta përkufizojmë si shkencën që zhvillon arkitekturën e nevojshme, në mënyrë që pajisjet të punojnë si truri njerëzor.

Kur Inteligjenca Artificiale bashkohet me robotët, bëhet diçka krejtësisht e re që i ngjan krijimit të një makine mitike, gjysmë dragoi dhe gjysmë njerëzore. (Kur ne kërkojmë nga Siri ose Pandora ose Alexa të na luajnë ndonjë muzikë, ato veprojnë si një robot duke luajtur thjesht një listë këngësh të paraprogramuara. Por, a e kini vënë re, se pasi roboti të ketë pasur mundësinë të mësojë nga sjelljet tona të mëparshme, mund të vendosë të luajë xhaz për ne kur dëgjon në sfond trokitjen e gotave të verës). Pra, në momentin kur një robot fillon të marrë vendime dhe të ndërmarrë veprime me shume sesa kryerja e detyrave të paraprogramuara, ai tejkalon vijën që ndan robotikën dhe inteligjencën artificiale dhe na çon në zona plotësisht të reja të pashkelura më parë, ku kompjuterët ose robotët përdorin të dhënat për të mësuar dhe përshtatur me botën përreth tyre, me qellim për të bërë jetën tonë më të sigurt, më të lehtë dhe më produktive.

Në thelb, ekzistojnë dy çështje madhore, me të cilat përballen njerëzit e shekullit njëzetenjë, pasi robotët dhe inteligjenca artificiale luajnë një rol gjithnjë në rritje në jetën tonë të përditshme. Së pari, çfarë ndodh kur robotët bëhen kaq të fuqishëm dhe efektivë saqë fillojnë kryejnë pjesën më të madhe të punëve tona? Dhe së dyti, çfarë ndodh kur inteligjenca artificiale e përparuar bëhet aq e fuqishme saqë fillon të shfaqet i veçantë – momenti kur inteligjenca kompjuterike tejkalon inteligjencën njerëzore? Frika dhe shqetësimi që robotët do “gllabëronin” punët tona fillimisht ishte objekt talljeje nga shumë punëtorë dhe menaxherë. Fillimisht, punëtorët ishin të kënaqur. Marrja përsipër e punëve mekanike dhe të rëndomta nga makineritë, ndikoi në krijimin e një ambienti pune me interesant dhe më pak të rrezikshëm. Punonjësit ua lanë ngritjen e objekteve makinerive dhe u përqendruan në mbikëqyrjen e procesit të prodhimit. Madje, u krijuan dhe anekdota se fabrika e së ardhmes do të përbëhej nga tri gjëra: makineritë, një njeri dhe një qen. Makineritë për të bërë punën. Njeriu për të ushqyer qenin. Dhe qeni për të ndaluar njeriun të mos prekë makineritë.

Sot, gjithçka është në proces ndryshimi te vazhdueshëm. Duke kombinuar inteligjencën artificiale dhe përparimet në mikroteknologji, gjenerata e ardhshme e robotëve do të jetë në gjendje të bëjë pothuajse gjithçka që mundet njeriu, në shumë raste në mënyrë akoma dhe më efikase. Robotët që punojnë së bashku me njerëzit, të quajtur nganjëherë robotë bashkëpunues (kobot), gjithashtu mund të rrisin produktivitetin dhe efikasitetin. Në shumë raste, makinat mësojnë detyra të reja nga njerëzit duke imituar (Kobot). Ndërsa fabrikat bëhen më të automatizuara, punonjësit që mbikëqyrin robotët kërkohen të kenë një nivel gjithmonë e më të lartë edukimi.

Në tridhjetë vitet e fundit, mendohet se afërsisht 80 për qind e humbjeve të vendeve të punës në sektorin e prodhimit në Amerikë ndodhen për shkak të automatizimit, ose e zëvendësimit teknologjik. Shumë punëtorë u detyruan të pranojnë punë me pagë më të ulët në restorante, fast-food ose dyqane shumice. Ku do të shkojnë punëtorët e industrisë së shërbimit me aftësi të ulëta kur ato zëvendësohen nga arkëtarët e automatizuar dhe robotët shpërdarës? Gjatë tridhjetë viteve të ardhshme, vlerësohet se deri në 50 për qind të të gjitha punëve mund të zëvendësohen nga teknologjia. Kur robotët me inteligjencë artificiale do të kenë akses në 3-D dhe fuqinë e pakufizuar kompjuterike, mendohet se ata do të jenë në gjendje të dizenjojnë dhe ndërtojnë robotë të tjerë, ad infinitum. Dhe më pas çfarë? Çfarë do të ndodhë kur profesionet e mëparshme “të sigurta” të nëpunësve profesioniste, si në ekonomi, drejtësi dhe mjekësi të bëhen të vjetruara, të dale mode nga inteligjenca artificiale?

Përfundimisht, kombinimi i inteligjencës artificiale dhe të big-data mund të rezultojë, duke ndryshuar në mënyrë radikale jo vetëm ekonominë, por edhe shoqërinë dhe politikën. Eshtë e pamohueshme që zhvillimi i robotëve dhe i inteligjencës artificiale e kanë përmirësuar botën tonë. Me robotët që bëjnë blerjet për ne, ndërtimin e shtëpive tona dhe qep e krijuar rroba për ne, jeta jonë është përmirësuar ndjeshëm. Teorikisht, me më shume punë të bëra nga robotët ne duhet të kemi më shumë kohë për t’u kushtuar familjeve dhe miqve tanë të bëjmë shëtitje në vend dhe të kompozojmë muzikë. Por me gjithëpërfshirjen dhe gjithëpranishmërinë e teknologjisë, si për shembull e-mail dhe mesazhe që lidhen me punën që marrim në pajisjet tona njëzet e katër orë në ditë, një jetë pa stres duket se është edhe më pak e arritshme në epokën dixhitale. Dhe me mjetet e prodhimit të përqendruara gjithnjë e më shumë në duart e vetëm disa korporatave ose individëve me mundësi për të grumbulluar pak e nga pak sa më shumë fitime, pjesa tjetër prej nesh mund të zhvendoset në statusin e kategorisë së dytë. Teknologjia pa dyshim i bën jetët tona më të lehta, por a i bën ato më të mira? Sapo robotët të marrin formën njerëzore dhe të fillojnë të mendojnë si ne, roli ynë si njerëz bëhet i paqartë

Si mund t’i programojmë robotët për të vepruar në mënyrë etike? Ose më keq, çfarë ndodh kur robotët dhe inteligjenca artificiale të mund të stimulohen për të na dëmtuar? Mundësitë qe inteligjenca artificiale të jetë e dëmshme, mund të marrin forma të shumta, por në thelb mund të ndahen në tri kategori kryesore: sulmet kibernetike, sulmet me drone, mbikëqyrja dhe propaganda. Sulmet kibernetike janë të përhapura në botën e sotme dhe zakonisht synojnë rrjetet virtuale, siç janë bazat e të dhënave dhe faqet e internetit të korporatave. Sulmet me drone i lejojnë njerëzit të përdorin teknologji të përparuar për të sulmuar objektiva fizike dhe mund të përdoren për të dëmtuar, përçarë ose edhe shkatërruar pothuajse çdo ekonomi moderne. Përdorimi i inteligjencës artificiale për të përfituar avantazh politik përmes mbikëqyrjes ose propagandës në internet, është duke u përdorur tashmë si nga liderët autoritarë, ashtu edhe nga politikanë të sinqertë dhe ka të ngjarë të përhapet në vitet në vazhdim. Si përfundim, një lloj kontrolli kërkohet dhe do të jetë i nevojshëm nëse duam të kufizojmë mundësitë që e gjithë kjo teknologji e re të na dëmtojë. Pyetja nuk është vetëm se si do të mund ta kontrollojmë fuqinë e pamasë të lëshuar nga robotët dhe inteligjenca artificiale, por gjithashtu kush do të vendosë se kush do të ketë fuqinë për të rregulluar teknologjinë që po merr përsipër pothuajse çdo aspekt të jetës sonë të përditshme.