E kaluara politike e gjykatësve të Kushtetueses dhe lidhjet e tyre me ish-pushtetin

FOTO LAJM

Gjykatat janë institucione në të cilat mbrohet demokracia e një vendi, sovraniteti dhe integriteti i atij vendi dhe i qytetarëve që jetojnë aty.

Megjithatë, ne jemi dëshmitarë që Gjykatat në Kosovë kanë qenë të ndikuara nga politika dhe parapolitika. Kemi procese të pafundme kur politika ka ndikuar dhe politikanët e korruptuar kanë shpëtuar pa u dënuar. Së fundmi, kemi rastin e Adem Grabovcit dhe zyrtarëve tjerë të PDK-së, të cilët u shpallën të pafajshëm edhe pse ishin zënë në biseda telefonike, duke punësuar njerëz pa konkurs, e duke favorizuar njerëz të lidhur ngushtë me PDK-në e cila ishte në pushtet.

Adem Grabovci me shokë ishte shpallur i pafajshëm në emër të popullit, ndërsa, populli ishte ngritur në protesta dhjetëra herë kundër Klanit Pronto. Me këtë dhe plotë gjykime tjera të pasluftës mund të konstatohet lehtë se Gjykatat ishin të kapura nga partitë që ishin në pushtet, kryesisht, nga PDK-ja.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje e fitoi mandatin qeverisës me premtimin se do t’i ç’kapte institucionet publike e ndër to do ndikonte në pavarësimin e Gjykatave nëpërmjet procesit të Vetingut. Kur filloi ç’kapja e shtetit ata u rrëzuan nga pushteti. Partitë e tjera u bënë bashkë për të krijuar një Qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve. Presidenti dekretoi për mandatar të Qeverisë, kandidatin e partisë së dytë Avdullah Hotin, duke anashkaluar kështu mandatarin e partisë fituese. Lëvizja Vetëvendosje dërgoi këtë dekret të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori vendim që përkohësisht të pezullohet dekreti i Thaçit, në mënyrë që më 19 Maj të vendosë nëse është bërë shkelje kur Presidenti i dha mandatin të dytit e jo fituesit të zgjedhjeve.

Por, pyetjet më të shpeshta që po shtrohen ditëve të fundit janë se a duhet t’i besohet kësaj Gjykate? A janë të ndikuar nga politika Gjykatësit e Kushtetueses? Cili do të jetë vendimi që do të merret?

Askush nuk mund të prejudikoj vendimin që mund të marrë Kushtetuesja, mirëpo, KosovoInsights ka hulumtuar lidhur me të kaluarën e trupit gjykues dhe ka gjetur fakte të cilat tregojnë se shumë prej gjykatësve janë ose kishin qenë të ndikuar politikisht më herët.

Trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga 9 gjykatës. Ata vlerësojnë nëse është shkelur apo jo Kushtetuta e një vendi dhe marrin vendime duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe aktet ligjore e nënligjore.

Por, kush janë këta gjykatës të Gjykatës Kushtetuese?

KosovoInsights ka gjetur se prej 9 gjykatësve, 6 prej tyre kishin ose kanë lidhje me politikën apo favorizojnë dhe pëlqejnë politikanë të caktuar. Ndërsa njëri prej tyre ishte i dënuar edhe për marrje ryshfeti.

Se a do të jenë vlerësimet e këtyre gjykatësve të paanshme kjo do të mësohet shumë shpejt, natyrisht, prej vendimeve që do të marrin, sidomos për rastin e Dekretit. Në vijim, ne do të iu sjellim lidhjet e tyre me politikën.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Ramaj, edhe pse nuk ka qenë në ndonjë subjekt politik, po të futesh në Facebook-un e saj, sheh se ajo ka pëlqyer faqen e Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe gjithashtu të disa politikanëve të ish-pushtetit si Uran Ismajli, Abelard TahiriVlora Dumoshit, dhe Xhafer Tahirit të LDK-së.

 

Gjyqtari, Bekim Sejdiu, ka qenë Këshilltar Politik në Kabinetin e Ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai në vitin 2010 kishte shpërndarë një foto ku në të është edhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Gjyqtarja, Selvete Gërxhaliu Krasniqi, ka pasur lidhje të drejtpërdrejt me politikën. Ajo para se të bëhej gjykatëse e Kushtetueses ishte kandidate e LDK-së në zgjedhjet e vitit 2014. Ajo në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së kishte numrin 69.

Gjyqtari tjetër, Safet Hoxha, edhe ky ka pasur lidhje të drejtpërdrejt me politikën. Hoxha ka qenë asambleist në Komunën e Suharekës nga rradhët e PDK. Gjithashtu, ky gjyqtar, ka qenë edhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së.

Gjyqtari, Nexhmi Rexhepi, ka qenë ambasador në Holandë në kohën kur ishte në pushtet koalicioni PDK-LDK. Vlen të theksohet se z. Rexhepi nuk ishte ambasador i karrierës por ishte zgjedhur si ambasador politik atëkohë. Ai gjithashtu e ka pëlqyer faqen në Facebook pretendetit për Kryeministër Avdullah Hoti dhe të disa politikanëve të tjerë të LDK-së dhe të PDK-së, si Abelard Tahiri , Vlora Ismaili Dumoshi, Haki Demolli e Xhafer Tahiri.

 

Gjyqtarja, Gresa Cakaj Nimani, është motra e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajt. Ajo mund të jetë e ndikuar nga vëllau i saj. Dihet se kohëve të fundit raportet mes Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk kanë qenë edhe aq të mira, sidomos, kur bëhej fjalë për Mini-shengenin Ballkanik, për të cilin z. Kurti nuk ishte pajtuar. Gjithashtu, gjyqtarja Gresa Cakaj kishte votuar pro, për kërkesën e Thaçit, i cili i kërkonte Kushtetueses që t’i jepte kompetenca mbi Kuvendin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Bashkimin Europian, edhe pse Kosova është republikë parlamentare.

 

Gjyqtari, Radomir Laban, ka pasur fletëarrest të lëshuar nga INTERPOL-i. Sipas Gjykatës Themelore në Kralevë, ai ishte dënuar me 6 vite burgim pasi ishte shpallur fajtor për marrje të ryshfetit. Laban është njëri nga 21 të dënuarit në kuadër të procesit gjyqësor ndaj të ashtuquajturës mafia e doganave, që u zhvillua në Gjykatën Speciale për krim të organizuar në Beograd. KMDLNJ kishte kërkuar që të mos dekretohej pa u vërtetuar e kaluara e dyshimtë e Laban, por megjithatë Presidenti Thaçi e kishte dekretuar.

Për dy gjyqtarët e tjerë, Bajram Ljatifin dhe Remzie Istrefin nuk është gjetur ndonjë lidhje e tyre me politikën dhe thuhet se janë profesional në përgjegjësitë që kanë marrë.

Gjithashtu, vlen të përmendet se edhe Organizata Çohu kishte reaguar me datën 08.07.2018, ku kishte bërë thirrje për mosdekretim të gjykatësve me të kaluar funksionale politike.

Prania e ish-zyrtarëve politikë në Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e organit më të lartë kushtetues të vendit.” kishte thënë kjo organizatë në letrën e saj.

Si përfundim, ne nuk mund të gjykojmë vendimet që do të marrin këta gjykatës të Kushtetueses, mirëpo, synim i yni është që të informojmë drejtë publikun dhe të merremi me konsekuencat që mund të vijnë si shkak i të kaluarës politike të këtyre gjykatësve, apo lidhjeve që mund t’i kenë me ish-pushtetarët.

Se a janë të ndikuar apo jo këta gjykatës apo Gjykata Kushtetuese në tërësi, kjo mbetet në vlerësimin tuaj.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të Dekretit të Presidentit, qytetarët përmes një polli online të organizuar nga Kosovo Insights janë përgjigjur kështu:
//KosovoInsights