Edhe kushëriri i Ramushit, Nasim Haradinaj ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi

Tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim, përveç Ramush Haradinajt, ka blerë edhe kushëriri i tij Nasim Haradinaj.

Në deklarimin e pasurisë së tij, Haradinaj tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi, me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro.

Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro.

Tokë nga privatizimi ka blerë edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj.

Njëjtë ka ndodhur në vitin 2009, kur Ramush Haradinaj bleu 200 hektarë tokë të shtetit për 75,000 euro. Kështu e ka shënuar vetë ai në deklarimin e pasurisë që bën vit pas viti. Kjo i bie të ketë blerë tokë të shtetit me 3.75 euro/arin dukshëm nën minimumin e mundshëm për secilën tokë në Kosovë.

Blerjen e tokës e ka konfirmuar edhe vetë Haradinaj më herët për media. “Po, kam blerë 200 hektarë tokë me procedura të rregullta të privatizimit”, kishte thënë Haradinaj.

Tokat gjatë privatizimit janë shitur të gjitha me çmime qesharake dhe i kanë blerë kryesisht politikanët ose njerëzit e afërt me ta.

Sipas deklarimeve të ish-shefit të AKP-së, Blerim Rexha, gjatë raportimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, toka e shtetit është dhënë pothuajse falas.//KosovoInsights