Edhe miku i “Plazma” punësohet në një tjetër ministri- Dikur e akuzonte Albinin për tradhëti

Naim Ramizi ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje i cili doli në AAK-në e Ramush Haradinajt i kishte dhuruar një maicë të protestës së 10 Shkurtit 2007, kryetarit të LV, Albin Kurti.

“Është një maicë të cilën e kam pasur të veshur 13 vjet përpara në atë kohë si aktivist i VV të 10 shkurtit ku kam qenë i plagosur, maica është e shpuar me plumb gome në gjoks dhe është e gjakosur qysh ka qenë. E kam ruajtur qe 13 vjet dhe sot në mëngjes më shkoj mendja t’ia dhuroj kryeministër për t’i kujtuar rrugën nëpër të cilën ka ardhur deri në kryeministri, sakrificën që e kanë bërë qindra mijëra aktivistë qoftë të arrestuar apo të lënduar”, pati deklaruar Ramizi, duke shtuar se i kishte përcjellë Kurtit porosinë e dy aktivistëve të vrarë: “Mos tradhto dhe mos u shit”.

Por, menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë “Kurti” dhe votimit në Kuvend të Qeverisë “Hoti”, Ramizi u shpërblye me një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e Drejtësisë, të cilën e drejton Selim Selimi i AAK-së.

“Front Online” posedon vendimin e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit, të datës 8 qershor 2020 që Ramizi të emërohet këshilltar politik, paga e së cilit kalon shifrën prej 600 euro në muaj.