Expressi i Berat Buzhalës propagandon kundër kryeministrit Kurti

FOTO

Gazeta Express para pak ditësh ka publikuar një video të një interviste të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ku në foto-video është parë mbishkrimi “Mashtrus”.

Edhe pse në shikim të parë kjo mund të duket si një lajm normal me një video të zakonshme të bashkangjitur me lajmin, kjo realisht nuk është kaq e thjeshtë. Kjo është një metodë propagandistike që ndikon shumë në të pavetëdijshmen e qytetarit që lexon lajmin. – shkruan Kosovo Insights.

Në foto shihet qartë se si Express-i i Berat Buzhalës tenton që të bëj propagandë duke e quajtur mashtrues Kryeministrin e vendit. Ky lajm është mjaftë tendencioz sepse Gazeta Express nëpërmjet titullit tenton që të tërheqë paralele mes kryeministrit Kurti dhe diktatorit Enver Hoxha. – raporton Kosovo Insights.

Për këtë ka shkruar edhe studiuesi i filozofisë Eroll Gashi në një postim në rrjetin social Facebook. Ai ka thënë se qytetarët e thjeshtë akuzohen për gjuhën e përdorur në rrjete sociale kurse media në Kosovë publikon video që etiketojnë Kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

“Po akuzohen me të madhe qytetarë të thjeshtë për gjuhën që po përdorin në rrjete sociale. Ndërkohë, një ndër mediat më të mëdha në Kosovë, Gazeta Express, e publikon një pjesë të intervistës së Kryeministrit në detyrë, ku etiketa më e qartë në atë video është ajo ku shkruan “Mashtrus”. Po ma merr mendja që Expressi nuk e ka editu vetë këtë video, mirëpo kjo nuk është një intervistë e viteve të 40-ta a 50-ta, që me u dashtë me bo kompromisin e me publiku ashtu qysh e ke pasë fatin me gjetë.”

Ai gjithashtu ka thënë se videot e tilla propagandistike janë të atilla që i sygjerojnë shikuesit rrugën se në cilin aspekt duhet të shikohet video a fotografia.

“Në fotografitë dhe videot propagandistike, mbishkrimi i tillë shërben si njëfarë hint-i që i sugjeron shikuesit se në ç’frymë duhet ta shikojnë ata videon a fotografinë.

Kjo nuk e legjitimon asnjë sulm ndaj Expressit. Por, kemi të bëjmë me një gjendje të rëndë në shoqërinë tonë, kur gjëra të tilla kalojnë pa u vërejtur e bëhen normale.” ka thënë Gashi. //KosovoInsights