Filozofi Hoxha kritikon ashpër Baton Haxhiun dhe deputetët që votuan Gjykatën Speciale

Këshilltari i Kryeministrit, Elvis Hoxha, njëherit edhe profesor i Filozofisë, ka kritikuar ata të cilët nuk po merren me deklaratat e Baton Haxhiut dhe deputetëve që votuan për Specialen. 
Elvis Hoxha nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka thë se ky është një mentalitet i rrezikshëm kur iu ka referuar deklarates së gazetarit Baton Haxhiu lidhur me amnistinë për krimet që kanë ndodhur para 20 vitesh.
“Ky është mentalitet i rrezikshëm. Amnisti për krimet serbe. Por nuk po merren shumë me deklarata të tilla. Sepse thotë Batoni, nuk ka pse dënohen pas 20 vitesh ata që kanë kryer krime. Pushtues, mos ta harrojmë, kanë qenë serbët, përdhunimin dhe masakrat i kanë kryer serbët, me militarë dhe paramilitarë, me ushtri dhe propagandë. Por ja që kur e thotë Batoni, nuk ka problem.”
Ai gjithashtu, ka thënë se Shkelzen Gashin e godasim sepse nuk ka fuqi as të na bëj mirë e as keq, kurse, për 80 deputetët që votuan Specialen thotë se janë bandë e madhe që mund të na bëjnë keq. Me ata nuk po e bëjnë trimin.
“Nuk pashë protestë me Marshin e UÇK-së kundër deputetëve që ia dhuruan luftën një gjykate ndërkombëtare sui generis. I kuptoj. Shkëlzen Gashi është një person. Madje e godasim sepse e dimë se nuk ka fuqi as të na bëjë mirë e as keq.
Ndërsa ata 80 deputetët janë një bandë e madhe. Ata mund të bëjnë keq. Me ata nuk po e bëjnë trimin. Ata mund ta japin territorin e Kosovës, por ata jane 80. Ata mund të bëjnë mocionin. Ata janë 80. Ata mund të bëjnë marreveshje të dhimbshme. Ata janë gjithnjë bandë. Dhe me bandën nuk na e mban. Ata mund ta hedhin qeverinë në kohë krize, i njohim cilët janë e ç’interesa kanë. Por janë bandë e madhe.
Dhe meqë nuk u ngritën kundër tyre për aferat Pronto kundër shtetit, më në fund erdhi një rast, kur mund t’ i përvishemi si trima një tipi e ta bëjmë edhe ne një herë trimin. Se boll na morën nëpër këmbë. Vallë a ka ndonjë budallë tjetër vetmitar, të thotë diçka pro dhënies së territoreve Malit të Zi? I vërsulemi atij dhe shpëtojmë prej turpit që për vizat që nuk i morëm dhamë truall atdheu.” ka thënë Hoxha.