Franca ende në gjendje të jashtëzakonshme, karantinë e detyruar për të gjithë

Pasagjerët që e kanë Francën destinacion, duke përfshirë edhe shtetasit francezë që duan të kthehen në shtëpitë e tyre, do jenë të detyruar të qëndrojnë në karantinë. Kjo me qëllim të ngadalësimit të përhapjes së COVID-19, lajmëroi ministri i Shëndetësisë të shtunën.

Udhëtarët që vijnë nga zonat jashtë Shengenit do të duhet të respektojnë masën e karantinës për 14 ditë nëse kërkojnë të hyjnë në Francë, tha ministri i Shëndetësisë Olivier Veran gjatë një konference për shtyp.

“Kohëzgjatja e kushteve për asimptomatikët që do të duhet të qëndrojnë në karantinë ashtu si dhe për personat që shfaqin simptoma dhe si rrjedhojë do të izolohen do të përcaktohet në dekretin që do të publikojmë së shpejti”, tha ministri.

“Në karantinë do të qëndrojë kushdo që kthehet në tokën franceze”, shtoi ministri ndërsa ende nuk është e qartë nëse izolimi do të kryhet në vendbanimin e tyre apo në hotele të posaçme.

Masat e karantinës janë pjesë e një projektligji i cili parashikon shtyrjen e afatit të gjendjes së emergjencës në Francë deri më 24 korrik.