Gjykata e dënon anëtarin e LDK-së me tre vite burg për Fondin e 3 përqindëshit

N.O dhe A.G, janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim, me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shpërdorim nga neni 257 par.3 lidhur me paragrafi.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës se Kosovës, transmeton “Kosovo Insights”.

Të akuzuarit N.O dhe A.G, detyrohen që në emër të dëmit të shkaktuar, në mënyrë solidare shumën prej 154, 132.47 euro, t’i kthejnë në buxhetin e Republikës se Kosovës.

“Të akuzuarit N.O dhe A.G së bashku me të akuzuarin B.B për të cilin është veçuar procedura, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri në vitin 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetës apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila iu është besuar atyre, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë se Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimumi 3% të të hyrave të tyre personale mujore, ashtu që kishin tërhequr shumën prej 154, 132.47 euro, në kesh dhe nuk kishin arsyetuar dhe dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.//Kosovo Insights