Gjykata Kushtetuese pezullon përsëri Ligjin për Zyrtarët Publikë

Gjykata Kushtetuese ka vendos masë të përkohshme për herën e dytë ndaj Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ky Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 qershor 2020, me vendim të Kushtetueses.

Më 8 nëntor 2019, Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Gjykata që të vlerësojë përputhjen e disa neneve mbi çështjen e përputhshmërisë se dispozitave te Ligjit me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji në fjalë kishte hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, ndërsa ekzekutimi i tij ishte pezulluar përkohësisht me vendim të Gjykatës Kushtetuese më 19 nëntor të të njëjtit vit.

“Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, njëzëri vendosi: I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 203/19 të datës 19 nëntor 2019, të vazhduar me Vendimin e 26 shkurtit 2020, deri më 30 qershor 2020; II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky Ligj kishte shfuqizuar Ligjin mbi Shërbimin Civil, të cilët janë paraparë disa risi siç janë emërimet në pozita të larta drejtuese, emërimet e komisioneve me mandat dhe të tjera.