Godet deputeti shqiptar: Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Sllobodan Millosheviqi

Me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re, një fjalim në Kuvendin e Republikës së Serbisë, e ka mbajtur edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi.

“Serbia është sot problem para së gjithash për vetë serbët. Një Serbi që nuk u demokratizua as me rënien e monizmit, kur u rrëzua Ivan Stambolliqi i vrarë më vonë nga eksponentët e strukturave shtetërore të sigurimit. As me rënien e Millosheviqit më 5 tetor 2000, që i parapriu vrasjes së Zoran Gjingjiqit, ku urdhërdhënësit e këtij atentati jetojnë sot të lirë, sepse në heshtje konsiderohen heronj“, ka thënë Kamberi.

Tutje, ai ka goditur duke e potencuar se ky Kuvend nuk dallon shumë nga ai i Millosheviqit.

“Ndryshe nga kryeministrja, parlamenti është i ri. I veçantë. Se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut. Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë e Luginës së Preshevës dhe boshnjakë të Sanxhakut?

Një opozitë me 6 deputetë prej 250. Trishtuese. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Sllobodan Millosheviqit.”, tha ai.

Fjalimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë popullor,

Mirëdita – Dobar dan

Sot, po kërkohet prej nesh ta mbështesim zgjedhjen e Qeverisë së Re të Republikës. Qeveri të re me kryeministre të njëjtë. Me shef të njëjtë. Ku Presidenti është edhe kryeministër, edhe qeveri, edhe parlament. Edhe vetë shteti. “L’État c’est moi”.

Ndryshe nga kryeministrja, parlamenti është i ri. I veçantë. Se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut. Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë e Luginës së Preshevës dhe boshnjakë të Sanxhakut?

Një opozitë me 6 deputetë prej 250. Trishtuese. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Sllobodan Millosheviqit.

Po ja që z.Vuçiq dhe z.Daçiq po dëshmohen më efikas se baballarët e tyre ideopolitik. Ky koalicion midis të ashtuquajturave e djathta e qendrës dhe e majtës e qendrës ka prodhuar pushtetin më totalitar të historisë së Serbisë postsocialiste. Natyrisht, përmes procesit zgjedhor, si të gjitha pushtetet autoritare dhe totalitare të kohërave moderne.

E vërteta e vetme e parrullës « Serbia si Evropa » është “Serbia si Bjellorusia”. Edhe pse në Minsk ka opozitë në rrugë.

Por sigurisht se vitet kanë ecur. Radikalët e retushuar kujdesen për imazhin e tyre. E kush më mirë përfaqëson imazhin “pro-evropian” se një kryeministre grua, pasionisht liberale, e shkolluar në universitetet perëndimore dhe që buron nga shoqëria civile. Një qeveri me 11 gra. Edhe multietnike aty-këtu, me ndonjë pjesëtarë të dëgjueshëm nga radhët e minoriteteve, në rend të dytë dhe të tretë përfaqësues dhe pa pushtet të vërtetë ekzekutiv. Dhe qershia mbi tortë, tashmë edhe me ministri për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe dialog shoqëror.

Sa bukur po duket. Skenar perfekt.

Mirë se vini në parajsën e stabilitetit dhe progresit. Serbia më demokratike se Suedia dhe Gjermania me rrezikun neonazist, apo Spanja me separatistët e saj.

Nuk ka më shpërndarje të fotove nga malet përreth Sarajevës nën bombardime. Nuk ka më fjalime të llojit se do t’i vrasim 100 myslimanë për çdo serb të vrarë. Nga ministra të informatave dhe zëdhënës të Millosheviqit tashmë në zyret e Ëashingtonit dhe Brukselit për marrëveshje politike me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hera-herës edhe ndonjë foto me mikun Çeda Jovanoviq dhe ndonjë përplasje retorike me Vojisllav Sheshelin i cili përdoret mjeshtrisht për kërcënimin e rrezikut se ka edhe më keq.

Piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë.

Pse jo, kur opozitarët e tyre në Beograd dëshmojnë çdo ditë se janë të paaftë për ta ndërtuar një alternativë të shkëputjes reale nga Ancien Régime.

Ja tani, Serbia ka pushtet garantues të stabilitetit dhe paqes rajonale. Me diskurs publik « modern » nën përkëdheljen e kryeqendrave të botës, që parapëlqejnë stabilokracinë kundrejt demokracisë. Po lulëzon Serbia.

Në njërën anë, takime dhe dëfrime me Donald Trumpin, Angela Merkelin, Emanuel Macronin, Rexhep Taip Erdoganin, Vlladimir Putinin, Bakir Izetbegoviqin, Andrej Plenkoviqin, Millo Gjukanoviqin, Joseph Borrelin, Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.

Në anën tjetër, shtet i kapur dhe “deep state”. Çdo ditë, gjuhë urrejtje, gjuhë seksiste, denigrime, linçime, përndjekje dhe shantazhime të opozitarëve në Serbi. “Šiptari”, “Turci”, “Ustaši”, “NATO kriminelët”, “Hajna”. Ky është zhargoni i përditshëm i makinerisë propagandistike të pushtetit.

Të respektuar deputetë,

Minoritetet, sidomos shqiptarët dhe boshnjakët, mund edhe të jenë “zezakët, tatarët, ujgurët dhe algjerianët” e Serbisë së sotme. Por ata nuk janë të shtypurit e vetëm.

Gjendja e qytetarëve nga Jugu i Serbisë është pasqyra më e mirë sesi politikat e juaj neoliberale dhe kleptokratike po thellojnë çdo ditë e më shumë jo vetëm ndarjet etnike, por edhe pabarazitë sociale midis rajoneve të Serbisë.

Zorani, Sllavica, Gorani dhe Vesna nga Vranja, Surdulica, Bosilegradi dhe Tërgovishta janë po aq të varfër dhe të papunë sa Hasani, Vjollca, Arma dhe Iliri nga Bujanoci, Tutini, Presheva dhe Sjenica.

Prandaj, sa më shpejtë rrëzohet kjo qeveri dhe shpërbëhet ky kuvend, aq më shumë ka shpresë për liri, barazi dhe demokraci. Pa juve dhe siamezët e juaj politik.

Faleminderit