Hashim Thaçi për Sveçlen e Kurtin: Grup kriminal që ka kapur Qeverinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është inkuadruar live në emisionin e Ermal Pandurit. Ai ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje!

Ai është munduar që të shfajësohet duke thënë se për vite të tëra ka kaluar kufirin në Vërmicë në atë mënyrë. Mirëpo, ky kalim i kufirit është cilësuar si shkelje e protokollit nga ana e Presidentit ka thënë Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror, çdo vizitë e Presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet që të komunikohet te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që Protokolli i Shtetit, për kundër dispozitave ligjore në fuqi, nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Presidentit në Republikën e Shqipërisë.” ka thënë Sveçla.

Hashim Thaçi e ka quajtur grup kriminal Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka thënë se ajo e ka kapur Qeverinë. Poashtu, ka thënë se nuk duhet të kërcënohen deputetët.

“Mos të krijojmë konfuzion shpifje e marrëzira. Mos të kërcënojnë deputetët e në këtë rast edhe Pacollin. Xhelal Sveçla le të vjen edhe me Kurtin dhe jo vet. Ftoj të gjithë për urtësi dhe bashkëpunim. Grup kriminal qe e ka kap qeverinë.” ka thënë Thaçi.

Reagimi i Presidentit vjen pasi Ministri Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit.

Deklaratat e Thaçit po shihen si kërcënuese ndaj ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçles.

Albulena Haxhiu me një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se Thaçi është në siklet të madh dhe i dridhej zëri teksa po kërcënonte.

“Thaçi dukej në siklet të madh, edhe kërcënimin e bëri me zë të dridhur!” ka thënë Ministrja e Drejtësisë.

Na ndiqni në Facebook për informacione të rregullta.//KosovoInsights