Haxhiu thotë se Qeveria Hoti i dha hise Serbisë në Kosovë

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur ashpër për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe brenda territorit të Kosovës.

Ajo tha se ky është gjunjëzim i Kosovës ndaj Serbisë duke cenuar sovranitetin e shtetit, njofton Klan Kosova.

“Qeveria ilegale dhe pa mbështetje popullore, po e konsideron Kosovën si vend në të cilin Serbia ka hise! Lejimi i organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është dorëzimi dhe gjunjëzimi i radhës karshi Serbisë. Serbia po vazhdon cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial. Ky është agresion”.

Për këtë, Haxhiu po thotë se duhet rikthyer në pushtet Qeveria Kurti për, siç tha ajo, të rikthyer dinjitetin e Kosovës karshi Serbisë.

“Pazaret e kësaj Qeverie me Serbinë, kushedi se kur do të ndalen! Qeveria Kurti, ia ktheu dinjitetin vendit prandaj ajo qeverisje duhet të kthehet. Angazhimi dhe përbashkimi kundër kësaj Qeverie është i domosdoshëm”. //KosovoInsights