IKSHPK: “Virusi nuk ka këmbë, mos ia jepni këmbët tuaja

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje për respektim të masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Përmes një njoftimi, ata thonë se lehtësimi i masave nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.

Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thotë se nëse mungon kujdesi, ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.

“Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

IKSHPK edhe dje, përmes një njoftimi ka bërë thirrje për kujdes.