Isa Mustafa i bindur që LDK do ta formojë qeverinë e re

Kreu i LDK-së ka thënë se është i bindur që partia e tij bashkë me AAK , Nisma dhe partitë joshumicë, i kanë votat e mjaftueshme për ta formuar shumicën në Kuvend dhe për formimin e qeverisë së re.

Pas mbledhjes , Mustafa ka thënë se LDK-ja është e gatshme për ta marrë përgjegjësinë.

“Në këto momente nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe në shpërndarje të Kuvendit të Kosovës meqenëse jemi në kohë pandemie e që kërkon mobilizim të të gjitha subjekteve e aparatit shtetëror për të fituar betejën kundër pandemisë së Covid-19 dhe e dyta po ashtu se deputetët janë në fillim të mandatit të tyre dhe ka angazhim, vullnet, që ky mandat të shfrytëzohet në të mirë të Republikës së Kosovës. U shprehëm kundër zgjedhjeve të reja, por jemi pro formimit të qeverisë së re, që do të kishte kapacitetet për t’u ballafaquar me situatën aktuale, në luftë me virusin e të marrë përgjegjësi për dialogun, rimëkëmbjen ekonomike dhe fushat tjera që kemi nevojë t’i çojmë përpara. Si LDK jemi shprehur edhe më parë që jemi të gatshëm të marrim këtë përgjegjësi, jo se jemi të etur për pushtet apo se na pëlqen që të marrim përgjegjësi në këtë periudhë të rëndë, por konsiderojmë se jemi themeluar si parti që t’i shërbejmë vendit e demokratizimit të Kosovës. Kemi kontaktuar me disa prej partnerëve me të cilët kemi shprehur dëshirë për bashkëudhëheqje, me AAK-në, Nismën, përfaqësues të partive joshumicë. Kemi marrë vullnetin dhe përkushtimin e tyre. S’kemi numëruar votat, por jemi të bindur se kapërcejnë atë që kërkon Kuvendi dhe Kushtetuta për formimin e qeverisë”, ka thënë ai.

Më tutje , Mustafa tha se nuk e kanë caktuar ende emrin e mandatarit të ri, ndërsa ka shtuar se për këtë LDK-ja do të mblidhet nesër. //KosovoInsights