Isa Mustafa: Qytetari nuk vendos se kush do ta qeverisë vendin

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, në Argument Plus ka folur rreth situatës aktuale politike. Ai ka thënë se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se LDK është e bindur që s’ka bërë shkelje.

“Është një procedurë që duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur. Vlerësoj lartë përgjigjen e Komisionit të Venecias dhënë Kurtit. Unë kam besim që Gjykata Kushtetuese mbi bazën kushtetuese do ta marrin vendimin e tyre. Ne si LDK, do ta zbatojmë tërësisht, s’do të kishim hy nëse s’do të ishim të bindur që epilogu është kushtetues. Komentet e dorëzuara në Kushtetuese sot, është punuar shumë nga një grup deputetësh, është konsultu edhe ekspertiza e jashtme, mendoj që janë dhënë argumente të mjaftueshme që e arsyetojnë këtë proces dhe presim që Gjykata ta akceptojë këto që i ka dhënë grupi ynë”, ka thënë Isa Mustafa.

“Qytetari nuk vendos se kush duhet të qeverisë vendin. Vota e qytetarit vendos për deputetë, vendos cila parti do të ketë më shumë deputetë e kush më pak, por jo kush do ta qeverisë vendin. Sepse në zgjedhje të përgjithshme nuk votohet drejtpërdrejtë për qeverinë. Në zgjedhje votohet për parlamentin për Kuvendin. Sepse zgjedhje s’bëhen për Qeverinë, por për Kuvendin, e pastaj Kuvendi e zgjedh Qeverinë. Për ta zgjedh Kuvendi Qeverinë duhet një parti që e ka shumicën parlamentare”, është shprehur Mustafa.

Ai tutje ka shtuar se vendi ka nevojë sa më shpejtë bëhet me qeveri – transmeton Kosovo Insights.

“Jam i bindur që s’kemi bërë shkelje, por megjithatë mbetet që Kushtetuesja të vendos. Vlerësojmë që vendit i nevojitet një qeveri e re, çdo ditë kjo qeveri po bën gabime, dy herë e shkeli brenda një muaji Kushtetutën. Votat në Kuvend janë vota të njëjta si për partinë e parë si të tjerat, sjanë me vlerë më të lartë ato të VV-së. Për shtetin parlamentar është e rëndësishme shumica parlamentare. Qytetari s’vendos se kush do ta qeveris vendin, vota vendos për deputetë. Në zgjedhjet e përgjithshme s’vendoset për qeveri, por për Kuvend”. //KosovoInsights