Ish-ushtari i UÇK-së: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi do të lirohen për mungesë provash

Ish- ushtar i UÇK-së Faik Zogaj, ka deklaruar se ka refuzuar dy ftesa nga Gjykata Speciale, transmeton “Kosovo Insights”.

“Ne nuk po i ikim drejtësisë, po kërkojmë drejtësi”, ka theksuar Zogaj.

Sipas tij, akuzat e ngritura janë konkretisht për vrasjen e dy serbëve.

Zogaj ka kujtuar ngjarjen, se kishte parë shtëpi në fshatin e tij të djegura, njerëz të vrarë dhe në gjaknxehtësi e sipër ka djegur 5-6 shtëpi serbësh por nuk pranoi akuza të tjera.

Tutje Zogaj përmendi rastin ‘Panda’ dhe theksoi se është diçka e pranuar nga vetë serbët, fakti që ata kanë vrarë fëmijët e tyre vetëm për të akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje akuzoi se uniformat e UÇK-së janë keqpërdorur nga serbët vetëm për të njollosur imazhin e tyre.

“Me ligjet e luftës, unë personalisht vetëm një veprim të vogël të bëja pa urdhrin e komandantit, do të isha arrestuar prej policisë tonë se dhe ne kemi pasur policinë tonë ushtarake, prandaj kjo njollosje që i është bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një padrejtësi shumë e madhe”, ka deklaruar Zogaj.

“Na kanë quajtur dhe bandë kriminale ama po të ishim ne bandë kriminale, sot, asnjë serb nuk e kishim lënë në Kosovë”, ka shtuar ai.

“Dick Marty është i paguar nga Rusia dhe Serbia dhe kjo Gjykatë nuk do dalë asgjëkundi nëse ecën me ato pretendime”, tha ai.

Pyetur nëse beson se ky gjyq do të mbyllet pa faktuar asgjë, Zogaj mendon se gjatë seancës së datës 18 nëntor si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi, do të lirohen për mungesë provash.//Kosovo Insights