Jurgen Klopp: Ne nuk do të ndalemi, nuk do të ndalemi

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka paralajmëruar rivalët e Premier Leagues se ekipi i tij nuk do të ndalet në tentim për më tepër sukses, pas sigurimit të titullit të enjten.

Liverpooli ka siguruar titullin shtatë xhiro para fundit, pas fitores së Chelseat ndaj Manchester Cityt. Liverpooli ka humbur vetëm një ndeshje këtë edicion.

“Konsistenca që djemtë kanë treguar këtë edicion është aq e jashtëzakonshme sa që nuk mund ta përshkruaj. Ne nuk do të ndalemi, nuk do të ndalemi”, ka thënë Klopp në një konferencë të premten.

“Ne vërtetë duhet të jemi të fokusuar dhe do të jemi. Ne shohim mundësinë. ‘Ne nuk do të ndalemi’ nuk do të thotë se do të fitojmë çdo gjë, ne vetëm duam të përmirësohemi”, ka shtuar trajneri gjerman.

Liverpooli edicionin e kaluar fitoi Ligën e Kampionëve. Klopp është i vetëdijshëm se nuk ka garanci për shkëlqim të mëtejmë.

“Ekipet tjera janë shumë të mira dhe do të jenë edhe më të mira. City është i jashtëzakonshëm. Kështu që nuk mund të premtoj se do të fitojmë çdo gjë, por mund të premtoj se do të mundohemi të përmirësohemi. Kjo është e mundur pasi ka pjesë të futbollit që mund t’i bëjmë më mirë. Konsistenca është vështirë të përmirësohet. Nëse mbajmë këtë nivel të konsistencës, do të jetë shumë mirë”.

Klopp ka lënë të kuptohet se Manchester Cityn e sheh rivalin më të madh. Vjet Liverpooli humbi vetëm një ndeshje dhe mblodhi 97 pikë, por përfundoi i dyti. Klopp pranon se ka pak hapësirë për gabime.

“Nëse duam të fitojmë ligën duhet të tentojmë që mos të humbim asnjë ndeshje, pasi City zakonisht nuk humbet ndeshjet. City nuk ndalet asnjëherë prej se Pep Guardiola është në këtë klub. Nuk ndalet asnjëherë dhe ne do të tentojmë këtë po ashtu. Do të provojmë që mos të ndalemi, të përmirësohemi, të bëjmë gjërat e mundshme dhe të bëjmë në mënyrë të veçantë”, ka theksuar Klopp.