Kallëzim penal ndaj 141 zyrtarëve policorë për mashtrim

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka deklaruar se Inspektorati Policor i Kosovës, ka ngritur kallëzim penal ndaj 141 zyrtarëve policorë për mashtrim, ku 94 prej tyre po vazhdojnë të marrin pensionet për çrregullim mendor, transmeton “Kosovo Insights”.

“Duke parë dyshimet që mund të ketë mashtrim te këta zyrtarë, për shkak se në kushtet dhe kriteret për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës, duhet aftësia apo të jenë të shëndetshëm në masën 100 për qind, dhe gjithë këta zyrtarë kur janë pranuar në punë janë paraqitur si persona, të cilët nuk kanë probleme shëndetësore, dhe kanë dëshmuar në komisionet shëndetësore që janë persona me aftësi të plotë”, ka deklaruar Hodaj.

Sipas tij dyshimet kanë qenë se disa prej këtyre zyrtarëve në komisionet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë paraqitur dokumente që kanë dëshmuar se kanë probleme shëndetësore, duke përfshirë edhe probleme mentale. Pas kësaj ne kemi biseduar me Prokurorinë Speciale, zyrtarët hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, fillimisht është marrë një autorizim për të ndërmarrë hetime fillestare, janë ndërmarrë dhe është dërguar një raport informues në Prokurorinë Speciale të Kosovës, i cili ka kërkuar që të ndërmerren autorizime shtesë, derisa është ngritur një kallëzim penal për 141 zyrtarë policorë, nën dyshimin e veprës penale të mashtrimit. Përkundër që është konstatuar në vitin 2018, se të njëjtin gëzojnë shëndet të plotë, të njëjtit vazhdojnë të marrin pension të invalidit të luftës.

“Në bazë të këtyre veprimeve hetimore ka rezultuar se 148 zyrtarë policorë e gëzojnë pensionin të invalidit të luftës. Ku vazhdojnë me qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe 94 prej tyre janë persona të cilët në bazë të dosjeve të tyre kanë pasur probleme edhe të shëndetit mental. Duke u bazuar në këtë, janë kërkuar raporte nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, gjithashtu në bazë të këtij dokumentacioni kanë ardhur te ky përfundim se këta 94 zyrtarë do të paraqesin dokumentacion që kanë probleme të shëndetit mental. Duke u bazuar në këtë në vitin 2018, IPK ka kërkuar dhe rekomanduar për shkak edhe të hetimit dhe për shkak të këtij ekzaminimi që të kërkohet suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë. Nuk është realizuar ky rekomandim i yni dhe në të njëjtën kohë PK ka kërkuar ekzaminim rishtazi për të gjithë zyrtarët policorë, dhe janë dërguar në një institucion shëndetësor të cilën e ka kontraktuar policia. Pas këtij ekzaminimi që të gjithë kanë rezultuar se janë me shëndet të plotë fizik dhe mental”, shtoi Hodaj.//Kosovo Insights