Kitaristi i ELITA 5 luan bashkë me kitaristin legjendar me famë botërore

Kitaristi i grupit “Elita 5”, Valon Gashi, ka zhvilluar një video-konferencë me Steve Vai, kitaristin i cili është tri herë fitues i çmimeve Grammy.

Gashi e ka publikuar një përmbledhje prej 10 minutash të bisedës dhe lojës me kitarë në ditëlindjen e tij.

Këtë video-konferencë me Steve Vai, Gashi e ka quajtur mësim jetësor.

“Përndryshe, anglisht di koxha mir’, edhe zakonisht nuk belbëzoj kaq shum’…por s kisha faj. Isha përballë ma Steve Vai dhe u humba….një përmbledhje e shkurtë e video-konferencës, (e që doli të jetë mësim jetësor’), me Steve Vai….ende s kam fjalë ta përshkruaj ndjenjën, më falni. Po e postoj me rastin e ditëlindjes time,si dhuratë vetes dhe juve miq”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kompozitori Florent Boshnjaku këtë video-konferencë e ka quajtur ngjarje të madhe që vetëm mund të ëndërrohet nga artistët.

“E bashkëngjitur është një prej ngjarjeve më të mëdha që një muzikant jo vetëm kitarist mundet me e ëndërru, biseda dhe loja e përbashkët (video konferencë) me Steve Vai”, ka shkruar Boshnjaku në Facebook.

Shumë prej këngëtarëve kosovarë dhe nxënësve të Gashit e kanë uruar për arritjen e tij.

Steven Siro Vai është një kitarist amerikan, kompozitor, këngëtar, kantautor dhe producent. Vai është tri herë fitues i çmimit Grammy dhe 15 herë i nominuar. Vai e filloi karrierën e tij muzikore në vitin 1978 në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare si transkriptues për Frank Zappa, dhe luajti në bandën e Zappa nga 1980 deri në 1983.

Ai filloi karrierën solo në vitin 1983 dhe ka publikuar tetë albume solo deri më sot. Ai ka regjistruar këngë me grupet muzikore Alcatrazz, David Lee Roth dhe Whitesnake, si dhe ka pasur bashkëpunime me artistë të tillë si Public Image Ltd, Mary J. Blige, Spinal Tap dhe Ozzy Osbourne.

Vai publikoi ​​albumin e tij të parë solo Flex-Able në vitin 1984, ndërsa albumi i tij më i suksesshëm, Passion and Warfare (1990), u cilësua si “albumi më i pasur dhe më i mirë i kitarës virtuoze të viteve ’80”.

Ai u votua si “Kitaristi i 10-të më i Madh” nga revista Guitar World.

Vai dizajnoi kitaren “Ibanez JEM”, një instrument unik që filloi të bëhet pjesë kryesore në të gjithë industrinë e kitarës, në 1985.

Në vitin 1993, Vai fitoi çmimin Grammy për performancën më të mirë instrumentale në muzikën rock për “Sofa” nga Zappa’s Universe, në vitin 2002, Vai fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë instrumental në zhanrin pop për “No substitunions: Live in Osaka” ndërsa çmimin e tretë Grammy, Vai e fitoi në vitin 2008 për performancën më të mirë instrumentale në rock për këngën “Peaches en Regalia” nga një turne i “Zappa Plays Zappa”. //KosovoInsights