Kjo është mënyra për t’i tërhequr kursimet nga Trusti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në herën e shtatë e kanë aprovuar në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Në vijim do të mund t’i lexoni nenet e ligjit, dhe mënyren e aplikimit për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

“Me qëllim të tërheqjes së mjeteve sipas paragrafit 1 të këtij neni, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër (4) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Çdo aplikacion që merr FKPK në formë elektronike e trajton atë si të mirëqenë dhe zyrtare, dhe shqyrton kërkesën sipas dispozitave të këtij neni. Procedura e aplikimit zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për procedurën e përgjithshme administrative.

Aplikacioni sipas paragrafit 2 të këtij neni është i kushtëzuar me pëlqimin e aplikantit për përpunimin e të dhënave të tij, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në këtë ligj.Me kërkesë të FKPK-së, BQK-ja, Agjencia e Regjistrimit Civil, Administrata Tatimore e Kosovës, Thesari i Kosovës dhe institucionet tjera relevante, si dhe bankat komerciale të licencuara nga BQK ndajnë të dhënat e nevojshme të pjesëmarrësve, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave.“Mjetet nga kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve në bankat komerciale të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës”.

Pas kalimit në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka reaguar Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trust).

Trusti bën të ditur të gjithë kontribuuesit se detajet për aplikim do të bëhen të ditura pas kalimit të këtij projektligjit në lexim të dytë dhe dekretimit nga presidenti.

“Ligji i rimëkëmbjes ekonomike që mundëson tërheqjen prej 10%, ka kaluar sot (12.10.2020) në lexim të parë. Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, sqaroi Trusti.//KosovoInsights