Koronavirusi i fut në borxhe qytetarët e Kosovës

Që nga momenti kur janë shënuar rastet e para me koronavirus në Kosovë në muajin mars një pjesë e madhe e qytetarëve ka filluar mos të paguaj borxhet ndaj kompanive publike që ofrojnë shërbime për konsumatorët.

Vetëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ nga e cila furnizohen me ujë tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, janë krijuar borxhe nga konsumatorët në vlerë prej mbi 1 milion euro vetëm për dy muaj.

Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, tha për Radion Evropa e Lirë se në muajin mars dhe prill kanë pasur rënie të madhe të inkasimit.

Sipas tij, nga një nivel prej 90 për qind e inkasimit është shënuar rënie në 50 për qind dhe kjo shton Xhafa është shqetësuese.

“Nëse flasim në vlerë monetare 1.2 milionë euro që janë faturuar në muajin mars janë pagur afërsisht 690 mijë dhe nuk janë pagur mbi 510 mijë euro fatura të ujit, kurse në muajin prill nga mbi 1 milionë euro që janë faturuar janë paguar vetëm 520 mijë euro”, thotë Xhafa, duke shtuar se kjo është vlera më e ultë e inkasimit që është regjistruar viteve të fundit.

Mesatarja e pagesës së një faturës të ujit për një familje varion nga 10 deri në 12 euro.

Vetëm 5 për qind e konsumatorëve paguan faturën e mbeturinave

Borxhe brenda dy mujave ndonëse kanë marrë shërbime konsumatorët janë krijuar edhe në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, e cila kryen shërbime në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës.

Gjatë mujave të pandemisë me koronavirus kësaj kompanie konsumatorët nuk i kanë paguar faturat që kapin vlerën e 1.2 milionë euro.

Arbnore Ademi zëdhënëse në këtë kompani thotë për Radion Evropa e Lirë, se 95 për qind e konsumatorëve nuk kanë bërë pagesën.

“Nëse flasim për shifra në tre muajt e fundit kompania ‘Pastrimi’ është dëmtuar për mbi 1 milionë euro nga rënia e inkasimit që është vlerë e madhe. Prandaj ju bëjmë thirrje qytetarëve që të kryejnë obligimet e veta në mënyrë që të kemi më të lehtë të funksionojmë dhe të kryejmë shërbime në këtë kohë pandemie”, thotë Ademi.

Fatura mujore për shërbimet që ofron kjo kompani është prej afër 5 euro.