Kosova rihapë çështjen pasi viktima e përdhunimit gjatë luftës foli publikisht

Prokurorja Speciale Drita Hajdari tha të enjten në mbrëmje në programin televiziv të BIRN Kosovës “Jeta në Kosovë” se ajo ka nisur hetimet në rastin e Vasfije Krasniqi Goodman pasi ajo u bë gruaja e parë që foli publikisht për përvojën e saj si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në vitin 2014, Gjykata e Lartë e Kosovës liroi nga akuzat dy ish-policët serbë të cilët ishin paditur fillimisht për përdhunim Krasniqi Goodmanit.

“Rasti i Vasfijes është rihapur. Vendosa të rihapja rastin e saj, por jo kundër autorëve, sepse procedurat kundër të dyve u mbyllën me vendimin të prerë. Nuk kam baza ligjore për ngritjen e një çështje të re kundër tyre,” tha Hajdari për programin.

Ajo shpjegoi se një nga arsyet për rihapjen e rastit ishte se përdhunimi ishte përdorur si një armë nga ana e armikut gjatë luftës.

“Po e bëj këtë sepse ata, serbët, kryen përdhunim gjatë luftës, ishte një mjet lufte. Këto përdhunime në Kosovë nuk ndodhën rastësisht dhe këto nuk janë raste të izoluara,” tha Hajdari për BalkanInsight.

“Këto janë armë të përdorura nga armiku gjatë luftës,” shtoi ajo.

Hajdari tha se ajo tashmë ka paraqitur një kërkesë në polici për të filluar hetimet e mëtejshme.

“Kam bërë një kërkesë, një autorizim nga ana e policisë – njësia e hetimeve për krimet e luftës, në të cilën kam shpjeguar saktësisht veprimet që duhet të ndërmarrin në këtë rast; ndër të tjera, dëshmitarët do të merren në pyetje sërish në të ardhmen, ndoshta edhe Vasfija,” tha ajo.

Krasniqi Goodman dha një intervistë për televizionin publik të Kosovës, RTK, muajin e kaluar, duke thënë se ajo u përdhunua dy herë pasi u mor nga shtëpia e saj nga oficerë të policisë serbe në prill të vitit 1999.

Nuk ka statistika të verifikuara për numrin e viktimave të dhunës seksuale të shkaktuar nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

Një raport i publikuar nga Amnesty International në dhjetor 2017 tha se vetëm disa prej atyre që akuzohen për përdhunim gjatë luftës në Kosovë janë ndjekur penalisht.

Në një shoqëri shoqërore konservatore, pak nga viktimat mund të mbështeten te familjet e tyre për të ndarë përvojat e tyre. Duke pasur frikë nga stigmatizimi, shumë prej tyre kanë vazhduar të vuajnë në heshtje.