Kreshnik Ahmeti, i bën një përmbledhje fjalës së Ministrit në Këshillin e Sigurimit

Shefi i kabinetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, i ka bërë një përmbledhje fjalës së Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Glauk Konjufca. 

Kujtojmë se sot gjatë ditës Konjufca prezantoi Republikën e Kosovës në seancën e mbajtur nga Këshilli i Sigurimit të Oganizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty Konjufca pati një përballje me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, me ç’rast Konjufca i përmendi edhe zhdukjen e filozofit shqiptar Ukshin Hoti nga ana e Serbisë.

“Rezoluta 1244 u miratua në një kontekst tjetër kohor në vitin 1999. Prandaj ka ardhur koha që UNMIK-u të përfundojë misionin e vet.

Serbia nuk është ende në gjendje të pranojë një fakt të thjeshtë: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, vulosi trashëgiminë dhe legjitimitetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, që është e pakthyeshme.

Ku është Ukshin Hoti? Ai ishte në duart e institucioneve të shtetit serb. Si profesori Hoti, ka edhe 1.646 persona të tjerë. Shteti dhe shoqëria e Kosovës duhet ta dinë se ku është Ukshin Hoti! Ku janë 1.646 të pagjeturit e Kosovës?

Përdhunimi seksual është një krim lufte. Ne i kërkojmë Serbisë të identifikojë ushtarët dhe policët e saj, që kanë dhunuar gra dhe burrat shqiptarë. Drejtësia duhet të vihet në vend.

Ju bëj thirrje juve, përfaqësues të nderuar të përhershëm të vendeve anëtare të KB-së, që të përdorni autoritetin tuaj për të ndërhyrë, me thirrjen për lirimin e z. Mehmetaj nga burgjet e Serbisë.

Është besimi ynë që për të pasur marrëdhënie normale dhe për t’i kontribuar stabilitetit në rajon, Serbia duhet të heqë barrierat e saj tregtare jotarifore, të ndalojë fushatën e saj të çnjohjeve ndaj Kosovës dhe të ndalojë financimin e strukturave paralele të saj në vendin tonë.

Kryeministri Kurti e bëri të qartë qëndrimin e Kosovës, duke synuar një dialog të barabartë, që nuk dëmton integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë, si dhe synon të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që, idealisht, duhet të rezultojë në njohje reciproke.” ka shkruar Ahmeti. //KosovoInsights