Kreu i LVV-së Albin Kurti kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kërkuar që sa më parë në vend të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, duke precizuar se në Kosovë duhet të rikthehet qeverisja e mirë, e se zgjedhjet, sipas tij, janë të domosdoshme, raporton gazeta “Kosovo Insights”.

“Lëvizja është shumica. Rikthimi i qeverisjes së mirë është aq i nevojshëm kurse zgjedhjet dhe ndryshimet janë të domosdoshme. E, vonimi i këtyre po bëhet gjithnjë e më i pamundur”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Këto komente, Kurti i pohoi, gjersa ka prezantuar dy anëtare të reja të Lëvizjes Vetëvendosje: Florije Rexha dhe Valentina Rexha, nënë e bijë me prejardhje nga Gjakova.

Postimi i plotë:

Florije Rexha dhe Valentina Rexha, nënë e bijë me prejardhje nga Gjakova, u anëtarësuan në VETËVENDOSJE!. I mirëprita në takim bashkë me aktivisten e Lëvizjes Esma Bunjaku.

Znj. Florije pas luftës migroi në Gjermani, ku edhe jeton tani me djalin e saj dhe familjen e tij. Ndërsa Valentina, e cila përfundoi studimet universitare në drejtimin e Arkitekturës në Prishtinë, migroi në mes të viteve të ’90-ta në Gjermani, e në 2006 u kthye në Kosovë. Valentina është sipërmarrëse dhe themeluese e disa kompanive vendore, të cilat bashkëpunojnë me kompani të ndryshme evropiane në tregti dhe industri të lehtë.

Lëvizja është shumica. Rikthimi i qeverisjes së mirë është aq i nevojshëm kurse zgjedhjet dhe ndryshimet janë të domosdoshme. E, vonimi i këtyre po bëhet gjithnjë e më i pamundur.