Kryeministri i Britanisë tregon se si u përballë me vdekjen pasi u infektua me Covid-19

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka folur për ditët e vështira ndërsa luftonte me COVID-19, teksa pranoi se mjekët kishin përgatitur njoftimin e vdekjes së tij, pas shtrimit në spital.

Ai qëndroi një javë në spitalin “St Thomas” në Londër , ku tre nga ato ditë në kujdes intensiv, pasi ai testoi pozitiv për virusin në 27 Mars.

Ai i tha në një intervistë për The Sun on Sunday: “Ata kishin një strategji për ta bërë atë sipas një skenari të tipit ‘vdekja e Stalinit’. Unë nuk isha në një gjendje të mirë shëndetësore dhe e dija se kishte plane emergjente. Mjekët kishin të gjitha llojet e përgatitjeve se çfarë të bënin nëse gjërat shkonin keq”.

Johnson, 55-vjeç, tha se ishte e vështirë të besosh se shëndeti i tij ishte përkeqësuar në vetëm disa ditë, ndërsa shtoi se “nuk po e kuptoja si nuk po bëhesha më mirë”.

“Nuk po kuptoja dot më asgjë. Treguesit vazhdonin të shkonin në drejtim të gabuar dhe pyesja veten: Si do të dal nga kjo? Më pas erdhi momenti i keq kur ishte 50 me 50 mundësia që mjekët të vendosnin një tub poshtë laringut”, shtoi ai.

Ai u shpreh se fillimisht nuk donte ta pranonte se sa rëndë ishte sëmundja  e tij dhe se mjekët e “detyruan” atë të shkonte në spital.

Johnson rifilloi punën të hënën, dy ditë para se e fejuara e tij të sillte në jetë djalin e tyre.

Fëmija mori emrin Wilfred Lawrie Nicholas Johnson, në nderim të dy mjekëve që morën në kujdes kryeministrin, Nick Price dhe Nick Hart.//KosovoInsights