Kryeministri Kurti realizon bisedë telefonike me përfaqësuesit e Sanxhakut

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti ka vendosur kontaktet dhe ka zhvilluar biseda telefonike me përfaqësues të Sanxhakut, përkatësisht me znj. Jasmina Curić, Kryetare e Këshillit Kombëtar Boshnjak, me z. Hazbo Mojović, Kryetar i Komunës së Sjenicës, dhe me z. Kenan Hot, Kryetar i Komunës së Tutinit. Kryeministri u interesua rreth gjendjes në këtë rajon, në veçanti mbi luftimin dhe parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID-19.

Të gjithë po ballafaqohen me të njëjtat sfida. Deri më tani situata është e menaxhueshme dhe shpresëdhënëse drejt daljes nga kjo krizë shëndetësore. Kryeministri shprehu mbështetjen dhe solidarizimin e tij dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës me krahinën e Sanxhakut në luftën e përbashkët kundër këtij armiku të padukshëm. Të gjithë u pajtuan që të vazhdohet komunikimi dhe bashkëpunimi.