Kryeministri leter PE-së: Presidenti i mbështetur nga disa parti po improvizon një skenar antikushtetues

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Ai përmes kësaj letre ka thënë se presidenti i Kosovës i mbështetur nga disa parti po improvizon një skenar antikushtetues.

“Me arsyetimin se kushtet që duhet përmbushur për organizimin e zgjedhjeve nuk ekzistojnë, Presidenti, i mbështetur nga disa parti politike, ndërmorri një seri veprimesh duke u përpjekur të improvizojnë një skenar antikushtetues. Ky është një veprim antikushtetues, i cili shkel edhe qëndrimet e Kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”, ka shkruar ai.

Ai ka dërguar disa pyetje në kërkesën drejtuar komisionit, lidhur me kompetencat e presidentit për caktimin e mandatarit.

  1. A është në përputhje me Kushtetutën mos thirrja e presidentit për t’i caktuar zgjedhjet e reja pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë?
  2. A është në përputhje me Kushtetutën afati i fundit i vendosur arbitrarisht nga Presidenti për nominimin e kandidatit për kryeministër dhe formimin e qeverisë?
  3. A e ka tejkaluar presidenti rolin dhe funksionin e tij si Shef i Shtetit, me imponimin e vullnetit të tij në procesin e formimit të “Qeverisë së re”, në këtë mënyrë jo në përputhje me Kushtetutën?
  4. A është në përputhje me Kushtetutën tejkalimi i partisë fituese të zgjedhjeve dhe formimi i “Qeverisë së re”, duke u bazuar në konsultat me partitë politike humbëse?