Kryeministri në detyrë kërkon opinionin e Komisionit të Venedikut

Albin Kurti, të premten i ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të mos-besimit.

Siç thuhet në njoftimin nga Zyra për informim e Kryeministrit, në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.

“Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision”, thuhet në njoftim, përcjell Kosovo Insights.

Është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë të tillë për opinion në Komisionin e Venedikut, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre.

Më 30 prill, presidenti Hashim Thaçi  ka dekretuar kandidatin e LDK , Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja VETËVENDOSJE! i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premtën masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.//KosovoInsights