Kryeministri në detyrë Kurti bën homazhe pranë varreve të heronjve Ilir Konushevcit e Dr. Hazir Malajt

Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, dhe këshilltarin e kryeministrit dhe në të njejtën kohë drejtorin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Aziz Bici bënë homazhe pranë varreve të heronjve Ilir Konushevcit e Dr. Hazir Malajt.

I gjithë shekulli XX-të ishte shekull i rezistencës shqiptare. Ndonjëherë ishte legale, e shpesh ilegale. Kulmi i rezistencës ishte UÇK-ja. Formacioni me të cilin nuk u evitua përballja me armikun. Me UÇK-në, e drejta jonë politike u pajis edhe me forcë për zbatimin e kësaj të drejtë.

Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj ishin ndër të parët. Kushdo që vinte pas tyre e kishte më kollaj. Ata iu rrekën pa pushim maleve që ndajnë fizikisht Kosovën prej Shqipërisë. Ata ishin vetë shpirti i kombit, që lufton gjeografinë e kombit. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj ishin shumë të vetëdijshëm që epërsia morale dhe njerëzore ishin në anën e shqiptarëve. Atyre iu mungonte armatimi. Prandaj, ata dy jo vetëm që luftuan por edhe punuan për luftën. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj po bënin më shumë se luftë çlirimtare; po e mundësonin luftën çlirimtare. //KosovoInsights