Kryeministri në vetizolim, pret rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE

Kryeministri Albin Kurti, sot nuk ka dalur në punë, ai ka hyrë në vetizolim në banesën e tij dhe punët po i kryen nga banesa e tij.

Kurti në vetizolim ka hyrë përshkak se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Këtë Kryeministri Kurti e ka bërë të ditur përmes platformës Facebook.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë,Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.
Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.
Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.
Ju falemnderit.