Kryeparlamentarja Osmani: Thaçi s’mund të flasë në emrin tim!

Kryetarja e Kuvendit  Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se presidenti i vendit, po tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, Osmani thotë se presidenti nuk mund të flasë në emrin tim.

Ajo tha se 7 vjet më parë Thaci kishte sjellë në Kuvend një marrëveshje me Daciqin, të cilën sipas Osmanit, Thaçi e kishte quajtur njohje të Kosovës nga Serbia. E kjo, sipas Osmanit, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime.

Osmani tha se edhe atëherë kishte votuar kundër, por edhe sot Thaçi po tenton që të flasë në emër të 91 deputetëve të kuvendit, por ajo tha jo në emrin e saj.

“Si sot 7 vite më parë, Thaci solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit.

Sot, 7 vite pas, po i njëjti njëjti, tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, JO NË EMRIN TIM, e as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi, të cilët njëjtë sikur më 6 tetor 2019, edhe sot qartë dijnë të bëjnë dallimin e të mirës me të keqen”, shkroi Osmani.

Sot gjatë ditës, presidenti Hashim Thaçi, ka mbledhur përfaqësuesit e partive për të diskutuar rreth zhvillimeve të ardhshme që e presin vendin.

Presidenti thotë se shumica parlamentare që mund ta formojë qeverinë, do ta ketë mandatarin. Ndërsa VV’së, Thaci i shkroi letër disa herë, por kryetari Albin Kurti, nuk ia ka dërguar deri tash emrin e mandatarit.

Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar në distancë duke potencuar vazhdimisht se vendi i saj është në opozitë për shkak se doli e treta në zgjedhje.

Derisa partitë si LDK, AAK dhe Nisma kanë shprehur interesim të formojnë një koalicion për ta krijuar qeverinë e re.//KosovoInsights