Kryeprotagonisti i avullimit të mbi 2 milionë eurove, Kadri Shala dorëzohet në Polici

Pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, Kadri Shala është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar vëllai i tij, Bedri Shala.

“Para gjysmë ore është dorëzuar vetë në Polici, përkatësisht te njësiti për Krime Ekonomike”, ka deklaruar vëllai i Kadri Shalës, Bedriu.

Ngjarja u zbulua, kur më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Gruoup” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.//KosovoInsights