Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit: Militantët me shirita të kuq do penalizohen

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, në një konferencë për media të thirrur sot, ka kërcënuar “militantët e Lëvizjes Vetëvendosje”. Konferenca për media është thirrur pasi që Bordi i Përkohshëm ka mbajtur një mbledhje në Telekom. 

I pari i Telekomit ka hedhur akuza të rënda drejt Bordit të përkohshëm të Telekomit. Istrefi ka shtuar se do penalizohen ata që po i zbatojnë vendimet e Qeverisë Kurti.

“Vendimet të cilat i merr Albin Kurit, që ti zbatojnë militantët me shirita të kuq nëpër institucione publike, nuk do të penalizohet Albin Kurti, por do të penalizohen ata që i marrin vendimet. Mos të dëgjohen njerëzit që çdo ditë e shkelin kushtetutën e ligjet”, tha Istrefi në konferencën për media.

Ai e ka quajtur të paligjshme mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Telekomit të Kosovës e cila është ftuar për sot. Përveç kësaj Istrefi ka thurrur lëvdata për punët e tij në Telekom.

“Në kohën time është anuluar kontrata me Z-Mobile, janë ndërprerë edhe 17 kontrata tjera të dëmshme”.

Ju kujtojmë se Bedri Istrefi merr rrogë prej 5000 euro në muaj. E për këtë ishte deklaruar se ka kërkuar që rroga t’i ulet, megjithatë, kjo rritje e rrogës ishte vendim i Bordit. Bordi që i rriti rrogën Bedriut u shkarkua para pak ditësh me vendim të Qeverisë Kurti.